Ndërlidhjet

Kongresistët amerikanë mbështesin Marrëveshjen për emrin


Pamje nga takimi i kongresistëve amerikanë me kryeparlamentarin, Talat Xhaferi
Pamje nga takimi i kongresistëve amerikanë me kryeparlamentarin, Talat Xhaferi

Një delegacion prej pesë kongresistësh amerikanë po zhvillon një vizitë dyditore në Maqedoni. Gjatë të hënës, kongresistët amerikanë Geri Konoli, Dina Titus, Susan Davis, David Price dhe Bill Florez janë takuar me kryetarin e Parlamentit ët Maqedonisë, Talat Xheferin, si dhe me koordinatorët e grupeve parlamentare.

Më pas kongresistët amerikanë janë takuar dhe me kryetarët e më shumë komisioneve parlamentare.

Ky delegacion i Kongresit amerikan ka zhvilluar edhe takime të ndara me kryetarët dhe anëtarët e komisioneve për mbrojtje dhe siguri, të komisionit për çështje procedurale dhe çështjet e mandatit -imunitetit, si dhe anëtaret e klubit të grave deputete.

Pas takimeve, kongresistët nuk janë prononcuar për media, por nga kabineti i kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë kanë bërë të ditur se “kongresistët amerikanë kanë theksuar kënaqësinë e tyre për përparimet që ka shënuar vendi në procesin e integrimeve, me ç’rast është theksuar mbështetja e parezervë e SHBA-së në procesin e realizimit të reformave dhe rrugëtimin vendit drejt strukturave euroatlantike”.

“Kongresistët theksuan kënaqësinë për përparimin e shtetit në planin e integrimeve euroatlantike dhe në përforcimin e demokracisë, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, me ç’rast theksuan se SHBA-ja edhe më tutje do të japë mbështetje të parezervë për Republikën e Maqedonisë në këto procese. Ata po ashtu theksuan se e vlerësojnë veçanërisht kontributin real të Maqedonisë në misionet paqësore të NATO-s, ku Republika e Maqedonisë vlerësohet si partnere tejet cilësore dhe e respektuare”, thuhet në njoftimin e kabinetit të kryeparlamentarit Xhaferi.

Ekspertë e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se me afrimin e datës për mbajtjen e referendumit, përforcohet edhe mbështetja e qendrave vendimmarrëse që referendumi të dalë i suksesshëm.

Ligjëruesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Bekim Kadriu, vizitën e kongresistëve amerikanë në Shkup, që po ndodh në prag të organizimit të referendumit të shtatorit, e sheh si vegël diplomatike për t`iu sugjeruar subjekteve politike ne Maqedoni që ta mbështesin referendumin, në mënyrë që ai të jetë i suksesshëm.

“SHBA-ja në përgjithësi e ka përkrahur procesin e negociove në fillim dhe pastaj arritjen e marrëveshjes Maqedoni-Greqi, që përfshin tani edhe çështjen e referendumit, si një nga hapat themelore, pas së cilës pritet që marrëveshja të ratifikohet edhe nga pala greke, që të bëhet e plotfuqishme. Pra, referendumi është i domosdoshëm që të jetë i suksesshëm, që të zbatohet marrëveshja Maqedoni Greqi”.

“Vizita e kongresistëve amerikanë mund të definohet si vizitë në Parlamentin e Maqedonisë me qëllim që të informohen nga afër për referendumin, por në esencë qëllimi është që me qëllim të mirë të sugjerohen partitë politike, që referendumi të dalë i suksesshëm”, vlerëson Bekim Kadriu.

Kongresistët amerikanë gjatë të martës është paraparë të realizojnë takime me përfaqësuesit e Institutit Parlamentar dhe organizatave joqeveritare.

XS
SM
MD
LG