Ndërlidhjet

SHBA mbështetë referendumin për emrin


Pamje nga takimi në mes të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe zyrtarit të lartë amerikan, Matthew Palmer
Pamje nga takimi në mes të kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe zyrtarit të lartë amerikan, Matthew Palmer

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin referendumin për Marrëveshjen me Greqinë për emrin dhe procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Kështu ka deklaruar në Shkup zëvendësndihmës i Sekretarit amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Matthew Palmer, pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev.

“Gjatë bisedave theksova mbështetjen e SHBA-së për marrëveshjen e Prespës dhe për ardhmërinë e Maqedonisë, si anëtare në NATO dhe e BE-së. Ftesa për në NATO është një akt historik për Maqedoninë. Është e qartë se referendumi do të jetë një datë e rëndësishme që do t’u mundësoj qytetarëve të deklarohen. Shpresojmë se qytetarët do të dalin dhe do të deklarohen sipas vullnetit të tyre, pa presione dhe dezinformata”, ka deklaruar diplomati amerikan, i cili mbështetje të referendumit ka kërkuar edhe nga opozita e cila është shprehur kundër referendumit, të cilën e vlerëson si të dëmshme për interesat shtetërore dhe nacionale maqedonase.

“Porosinë që ia dërgova opozitës është që të mendojë lidhur me këtë çështje nga aspekti strategjik, të mendojë se çfarë është më e mira për shtetin dhe qytetarët e tij, të mendojë se seriozisht se çfarë ofron kjo marrëveshje për ardhmërinë evropiane të Maqedonisë, se do të duhet ta mbështesë ardhmërinë evropiane të Maqedonisë”, ka deklaruar zëvendësndihmës Sekretar amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euro-Azi, Matthew Palmer.

Ai është takuar edhe me presidentin, Gjorge Ivanov, të cilit po ashtu i ka kërkuar mbështetjen për referendumin dhe Marrëveshjen për emrin me Greqinë.

Por, në një komunikatë të kabinetit të presidentit thuhet se Ivanov në takimin me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se presidenti ka përsëritur qëndrimin për të mos njohur Marrëveshjen me Greqinë.

“Sa i përket marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë, presidenti Ivanov ka theksuar se nuk pranon marrëveshje e cila shkel Kushtetutën, ligjet dhe që rrënon institucionet e shtetit. Marrëveshja e tillë është e dëmshme për interesat nacionale maqedonase”, thuhet në komunikatë.

Presidenti, siç thuhet në njoftim, ka thënë se “Maqedonia meriton të anëtarësohet në NATO, pasi që në vitin 2008 ka përmbushur kushtet për anëtarësimin në Aleancë dhe se gjatë gjithë kësaj kohë ka kontribuar në mënyrë aktive në të gjitha misionet e NATO-së, së bashku me shtetet tjera anëtare”.

Mbështetje për zbatimin e Marrëveshjen me Greqinë dhe realizimin me sukses të referendumit ka ardhur edhe nga Bashkimi Evropian. Komisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Johannes Hahn ka përshëndetur vendimin e Kuvendit që më 30 shtator të mbahet referendum për Marrëveshjen me Greqinë, ndërsa i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike, pasi sipas tij, bëhet fjalë për vendin dhe të ardhmen e tyre.

“BE-ja mbështet këtë marrëveshje dhe zbatimin e saj, si simbol i pajtimit dhe fqinjësisë së mirë në rajon. I ftoj gjithë. Bëhet fjalë për vendin e tyre dhe për të ardhmen e tyre”, ka porositur komisioneri Hahn.

XS
SM
MD
LG