Ndërlidhjet

Zaev: Dilni në referendum, zgjedhni dritën në vend të errësirës


Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i ka bërë thirrje qytetarëve pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, fetare apo politike që të dalin dhe të shprehin qëndrimin e tyre në referendumin e 30 shtatorit në të cilët duhet të përcaktohet për Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit me të cilën zhbllokohet edhe procesin euro-integrues.

Në një paraqitje para opinionit së bashku me gjithë kabinetin qeveritar, kryeministri Zaev shprehu bindjen e thellë se referendumi do të kalojë me sukses dhe se qytetarët e Maqedonisë, në vend të izolimit dhe pasigurisë do të zgjedhin dritën dhe ardhmëninë, siç u shpreh ai.

“Duhet të bëni hapin e vërtetë, ky është momenti për vendime. Tani është koha për hapa të guximshëm për atdheun dhe vendime patriotike…Maqedonia do ta kaloj me sukses edhe këtë sfidë dhe në vend të errësirës, pasigurisë dhe izolimit, ju bëjë thirrje të zgjidhni dritën dhe të ardhmërinë… referendum është pika në të cilën kryqëzohen e ardhmja e Maqedonisë dhe e Evropës tonë”, ka deklaruar Zaev.

Kreu i qeverisë, në asnjë moment nuk ka dashur të komentojë dështimin eventual të referendumit, nëse nuk arrihet dalja e nevojshme prej 50 për qind plus një votë, duke theksuar se institucionet do të jenë ato që do të çojnë para procesin dhe të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë.

Me këtë, ai ka lënë të kuptohet se me dështimin eventual të referendumit do të vazhdojë zbatimi i mëtejmë i marrëveshjes me Greqinë, që parasheh edhe ndryshimet kushtetuese.

“Nëse qytetarët konstatojnë se pyetja është e vështirë, se nuk janë sa duhet të informuar apo për arsyeje tjera, mund të vendosin të rrinë në shtëpi, të mos dalin në referendum. Në një situatë të tillë, çështja i kalon institucioneve. Jam konsultuar me të gjithë ekspertët dhe kemi ardhur në një konstatim të tillë. Por, nuk dua as të mendoj se do të kemi një situatë të tillë. Në referendum përgjegjësinë do të marrim mbi vete dhe familjen dhe do të dalim të votojmë, ashtu siç mendojmë. Ke opsion për ose kundër, por nuk ka opsion për të mos dal. Duhet të dalim nëse vërtetë jemi patriot”, ka deklaruar Zaev.

Opozita ndërkohë mbetet në qëndrimin e saj për të mos mbështetur referendumin për shkak të pyetjes që sipas VMRO DPMNE-së është manipuluese. Kjo parti kërkon që pyetja të jetë e lidhur me marrëveshjen dhe qytetarët të pyeten se “a janë për ndryshimin e emrit të shtetit në Maqedonia e Veriut” dhe jo “ a jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e Marrëveshjes me Greqinë”, siç është vendosur nga Kuvendi në seancën e ditës së hënë.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ka bërë të ditur se marrëveshjen me Greqinë, do ta dërgojë për publikim në “Gazetën Zyrtare” vetëm pas mbajtjes së referendumit. Marrëveshja nuk është dekretuar nga Presidenti dhe publikimi pa firmën e tij, sipas kushtetutës, paraqet shkelje ligjore.

“Mendoj se koha më e përshtatshme që kjo të bëhet është pas deklarimit të qytetarëve në referendum. Kjo për shkakun se i gjithë suksesi i marrëveshjes varet nga vullneti i qytetarëve që do të sjellin në referendum. Pra, pas mbajtjes së tij, vlerësoj se është momenti më i mirë për shpalljen e saj”, ka deklaruar Xhaferi.

Fushata për referendumin do të zgjasë 20 ditë ndërsa i gjithë procesi i organizimit do t’i kushtoj shtetit 3.5 milionë euro.

XS
SM
MD
LG