Ndërlidhjet

Hahn: Dyert e BE-së janë të hapura për Maqedoninë


Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, gjatë vizitës së sotme në Shkup ka shënuar fillimin e procesit të verifikimit, që nënkupton vlerësimin e gatishmërisë së Maqedonisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, komisioneri Hahn tha se procesi i verifikimit do të ndihmojë vendin që të kalojë nga perspektiva evropiane në realitetin evropian. Ai tha se Maqedonia duhet të përmbushë të gjitha kushtet që të mund të nisë bisedimet për anëtarësim, ndërsa veçoi Marrëveshjen për emrin me Greqinë, pa zbatimin e së cilës, anëtarësimi do të jetë i pamundur.

Komisioneri Hahn bëri thirrje që të mbështetet referendumi, në veçanti nga të rinjtë, që të mos e bojkotojnë, pasi në të kundërtën, siç tha ai, edhe në Maqedoni mund të ndodhë diçka e ngjashme sikur me Brexit në Britani të Madhe.

“Dëshiroj qartë të theksoj se për këtë marrëveshje keni mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, që paraqet një kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe në gjithë Evropën. Megjithatë, i mbetet qytetarëve të këtij shtetit që të vendosin për të ardhmen e tyre. Fundja për ta bëhet fjalë. Dyert e Evropës tani më janë të hapura. Ju mbetet juve që të shfrytëzoni këtë mundësi".

"Ju bëjë thirrje të shfrytëzoni të drejtën demokratike dhe të merrni pjesë në referendum, në veçanti të rinjve. Të rinjtë në Britani të Madhe nuk morën pjesë dhe kjo solli vendimin që nuk ishte në favorin e tyre. Të rinjtë duhet ta kuptojnë se çdo votë është e rëndësishme. Me rëndësi është të merrni pjesë dhe ta shfrytëzoni të drejtën demokratike. Bëhet fjalë për shtetin dhe të ardhmen tuaj”, u shpreh komisioneri Johannes Hahn.

Ai foli edhe për dallimet mes forcave politike, në veçanti kundërshtimin e opozitës që të mos e mbështes Marrëveshjen për emrin. Hahn tha se interesat shtetërore dhe e ardhmja e qytetarëve duhet të jetë mbi interesat e partive politike.

“E ardhmja dhe perspektiva evropiane e vendit tuaj duhet të kuptohet si qëllim kombëtar. I bëjë thirrje të gjitha palëve që politikat ditore t’i lënë anash dhe në mënyrë konstruktive të përfshihen në proces. Kjo do të sjellë dobi për popullin. Perspektiva evropiane përmirëson kushtet për jetë të qytetarëve të këtij vendi dhe kjo është më e rëndësishmja”, deklaroi komisioneri Hahn, i cili gjatë qëndrimit të shkurtër në Shkup ka takuar edhe kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe liderin e VMRO-DPMNE-së në opozitë, Hristijan Mickovski.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev nga ana tjetër foli gjithashtu për referendumin dhe pengesat që vijnë nga, siç tha, qarqe apo afaristë grekë që mbështesin kauzën ruse. Por, Zaev tha se të gjithë duhet ta kenë të qartë, përfshirë edhe Moskën se Maqedonia përveç NATO-s dhe BE-së nuk ka alternativë tjetër.

“Të gjithë duhet ta dinë, por edhe Federata Ruse se për Maqedoninë nuk ka alternativë tjerë përveç anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ne mbetemi të përkushtuar për ndërtimin e raporteve miqësore me të gjithë. Pa armiqësi do të kemi më shumë shanse për perspektivat tona. Këtë e kemi dëshmuar me fqinjët dhe këtë duam ta bëjmë me të gjitha shtetet në Botë”, thaZaev duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga procesi i verifikimit, që do të i hap rrugën nisjen së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kjo ditë për mua është shumë e rëndësishme, është një moment historik. Po e nisim procesin e verifikimit. Po formojmë grupe negociuese. Që nga viti 2005 po e presim këtë moment. Ne do të jemi të përkushtuar për përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe akti i sotëm duhet të jetë një motiv shtesë për të gjithë në shoqëri. Procesin do ta udhëheq Qeveria, por në të do të përfshihen të gjithë, Kuvendi, opozita, sektori civil, të gjithë faktorët e rëndësishëm në Qeveri”, u shpreh Zaev, duke paralajmëruar edhe një takim të liderëve të partive politike për të ditën e mërkurë, në të cilin do të diskutohet për zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Shtetërore të Zgjedhjeve. Ky organ duhet të formohet sa më parë për të nisur përgatitjet për organizimin e referendumit.

XS
SM
MD
LG