Ndërlidhjet

Zgjidhet Qeveria e re e Kosovës

  • Më 11 shkurt, Kuvendi i Kosovës votoi Qeverinë e re të vendit, me Albin Kurtin në krye.
  • Formimit të Qeverisë i hapi rrugë konstituimi i Kuvendit të Kosovës, i cili u përmbyll po më 11 shkurt.
  • Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional.
16:11 11.2.2026

Kujtojmë rezultatet e zgjedhjeve...

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, 2025, Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë, me mbi 51 për qind të votave, duke fituar 57 nga 120 ulëset e Kuvendit.

Partia Demokratike e Kosovës mori 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.

Njëzet ulëse janë të rezervuara për komunitetet joshumicë - dhjetë për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë.

Komunitetit boshnjak i takojnë tri mandate, atij turk dy, ndërsa komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një mandat secilit, plus një mandat shtesë për komunitetin më të votuar nga këto tri komunitete.

Një mandat i takon edhe komunitetit goran.


16:01 11.2.2026

Hapi i parë drejt krijimit të institucioneve të reja

Sot nga ora 17:00 pritet të nisë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Fillimisht, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se seanca do të mbahej në orën 12:00, por ajo u shty për disa orë.

Kryetari i legjislaturës së kaluar të Kuvendit, Dimal Basha, bëri të ditur se shtyrja u bë me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës, për shkak të deklaratave përmbyllëse të ekipeve mbrojtëse në Hagë, në procesin ndaj ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Në respekt për atë që po ndodh në Hagë, të gjitha subjektet politike janë pajtuar që seanca të mbahet në orën 17:00”, tha Basha.

Caktimi i seancës erdhi pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi këtë javë rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Rendi i ditës përfshin verifikimin dhe betimin e mandateve të deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

15:59 11.2.2026

Përshëndetje të gjithëve,

Radio Evropa e Lirë nis mbulimin direkt të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të fillojë nga ora 17:00.

Me ju në orët në vazhdim do të jem unë, Valona Tela.

XS
SM
MD
LG