Energji, arsim, mirëqenie sociale...
Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, Albin Kurti, prezantoi prioritetet kryesore të kabinetit të ardhshëm dhe zotimet për qytetarët.
Ai premtoi investime të mëdha në energji të ripërtërishme dhe burime ujore, si dhe zhvillimin e industrisë së prodhimit në Kosovë.
Theksoi rëndësinë e mbështetjes për punësimin e grave dhe kujdesin ndaj gjyshërve që ndihmojnë në rritjen e fëmijëve, ndërsa paga minimale tha se do të rritet në përputhje me zhvillimin ekonomik.
Në fushën e arsimit, Qeveria e re do të vazhdojë reformat dhe do të lidhë programet arsimore me nevojat e tregut, tha ai.
Planifikohet të rritet edhe mbështetja për edukimin e hershëm dhe të nisë sistemi i bonove për prindërit që regjistrojnë fëmijët në çerdhe jopublike.
Po ashtu, do të hapen pesë gjimnaze të specializuara në të gjithë vendin.
Në shëndetësi, çdo qytetar do të ketë mjek familjar dhe një kontroll vjetor mjekësor brenda vitit, tha Kurti.
Do të ndërtohen spitale të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj, ndërsa buxheti për listën esenciale të barnave do të rritet në 100 milionë euro.
Kurti premtoi gjithashtu mbështetje për bujqit, duke garantuar treg për çdo prodhim të standardizuar dhe të certifikuar.
Ai premtoi investime edhe në infrastrukturën sportive, duke përfshirë renovimin e stadiumeve të futbollit në të gjithë vendin.
Një miliard euro investime në mbrojtje
I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, gjatë ekspozesë së tij para deputetëve, premtoi edhe një investim prej 1 miliard eurosh në sektorin e mbrojtjes.
“Në katër vjetët e ardhshëm do t'i forcojmë aleancat, do të investojmë 1 miliard euro në mbrojtje, do të rekrutojmë ushtarë të rinj, do të shumëfishopjmë numrin e oficerëve, do ta funksionalizojmë fabrikën e municionit, do ta zhvillojmë industrinë ushtarake të Kosovës dhe do të prodhojmë dronët luftarakë Made in Kosova”, tha Kurti.
Kabineti i prezantuar qeveritar:
Kryeministër Albin Kurti
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka
Ministër i Financave, Hekuran Murati
Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri
Hamza dhe Abdixhiku u drejtohen deputetëve
Pas ekspozesë së Kurtit, deputetëve iu drejtua Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa aktualisht po flet Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Të dy ata shprehën gatishmërinë për bashkëpunim institucional.