Ndërlidhjet

Kontestohen rezultatet e balotazhit në tetë komuna


Zgjedhjet lokale në Kosovë

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një kandidat i pavarur për kryetar komune, kanë parashtruar ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me rezultatet e zgjedhjeve në komunat e caktuara, konfirmojnë zyrtarët e këtij Paneli.

Mul Desku, kryesues i sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se deri në përfundim të afatit për ankesa, i cili ka skaduar të enjten në orën 15, janë paraqitur gjithsej shtatë ankesa.

“Deri më tani, në PZAP janë dorëzuar gjithsej shtatë ankesa që kanë të bëjnë me balotazhin, pas publikimit të rezultateve përfundimtare që i ka publikuar dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Lidhja Demokratike e Kosovës i ka paraqitur tri ankesa, një për Dragash, një për Kamenicë dhe një për Prishtinë. Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur tru ankesa gjithashtu, një për Rahovec, një për Klinë dhe një për Prizren. Një kandidat i pavarur nga Komuna e Shtimes, Fatmir Rashiti, ka paraqitur një ankesë lidhur me pretendimet që ai mendon se ka pasur parregullsi në balotazh”, ka thënë Desku.

Ankesat e këtyre dy subjekteve politike dhe kandidatit të pavarur nga Shtimja, kanë ardhur pas shpalljes së rezultateve të rrethit të dytë për zgjedhjen e kryetarëve të 19 komunave, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se përveç ankesave në PZAP për Komunën e Dragashit, Kamenicës dhe Prishtinë, kjo parti i është drejtuar Gjykatës Supreme me kërkesën që të mos përsëritet votimi për kryetar të Komunës së Istogut.

Pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të ardhura me postë, kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova kishte humbur kryesimin, çka kishte sjellë përmbysjen e rezultatit, duke e vënë Gani Dreshajn e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës fitues në Istog.

Pas këtij zhvillimi, LDK i ishte drejtuar Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Ky organ, e kishte pranuar ankesën e LDK-së, por nuk kishte kërkuar anulimin e votave me postë, por kishte vendosur që Istogu të shkonte sërish në votim për kryetarin e komunës.

Nisur nga këto zhvillime, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se tani ky subjekt politik do t’i drejtohet Gjykatës Supreme, nga e cila do të kërkojë që të mos shkohet në rivotim, por që kandidati i LDK-së të shpallet fitues.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka theksuar se Haki Rugova ka fituar në Istog, por se sipas tij, fitorja e tij po kontestohet me vota të kontestuara që kanë ardhur nga Mali i Zi, Serbia, Sllovenia dhe Austria, në favor të kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas tij, nuk janë vota të diasporës.

“Këto vota, ne kemi konstatuar se nuk janë vota të diasporës, ashtu siç është shprehur kundërkandidati i zotit Rugova, sepse diasporën tonë shqiptare nuk e përbëjnë serbët, malazezët edhe boshnjakët. Por, ne e dimë se ku janë qytetarët, bashkatdhetarët tanë, të shtrirë në vendet e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Mustafa.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, në një konferencë për media, ka theksuar se subjekti i tij politik posedon dhe i ka prezantuar shumë fakte dhe prova, të cilat, siç ka thënë, dëshmojnë se është deformuar vullneti i qytetarëve në Komunën e Prizrenit.

“Ne do t’i ndjekim të gjitha rrugët ligjore. Jemi brenda afateve kohore për t’i denoncuar ato përsëri, me mjete juridike, siç do ta bëjmë edhe sot, pran PZAP-së dhe do t’i shtjerrim të gjitha rrugët ligjore, në mënyrë që ta mbrojmë vullnetin e qytetarëve të kësaj komune”, ka thënë Stavileci.

Ai ka shtuar se gjatë procesit zgjedhor, ka pasur raste të shumta të parregullsive, të veprimeve manipuluese dhe abuzive, duke përfshirë, sipas tij, shantazhet, kërcënimet, sulmet ndaj organeve dhe zyrtarëve shtetërorë, si dhe është përdorur fenomeni i njohur si ‘treni bullgar’ nga Lëvizja Vetëvendosje në Komunën e Prizrenit.

Sipas rezultateve të publikuara nga KQZ, në Komunën e Prizrenit, fitues ka dalë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, përballë kandidatit të PDK-së, Shaqir Totaj.

Sidoqoftë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se prej momentit të mbylljes së afatit për dorëzim të ankesave, brenda 72 orëve do të marrë vendimin lidhur me ankesat e parashtruara nga subjektet politike dhe kandidati i pavarur.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG