Ndërlidhjet

Konvoji i EULEX-it niset për Ukrainë


Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë përcjell nisjen e “Konvojit të EULEX-it për Ukrainë” i cili përbëhet nga 12 automjete që do t’i dhurohen Ukrainës. 12 korrik 2022.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë përcjell nisjen e “Konvojit të EULEX-it për Ukrainë” i cili përbëhet nga 12 automjete që do t’i dhurohen Ukrainës. 12 korrik 2022.

Një konvoj i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, i përbërë nga 12 automjete, është nisur të martën për Ukrainë.

Këto automjete do t’i dhurohen Policisë Shtetërore kufitare të Ukrainës.

Ky donacion është blerë nga stafi ndërkombëtar dhe ai lokal i EULEX-it, tha shefi i këtij misioni, Lars-Gunnar Wigemark, në ceremoninë para nisjes së konvojit.

Sipas tij, këto ndihma përmbajnë gjëra ushqimore dhe joushqimore, si: veshmbathje, thasë për fjetje, produkte farmaceutike dhe të higjienës personale.

“Stafi ynë ka mbledhur po ashtu para të gatshme, për mbështetje të familjeve ukrainase. Jam krenar me stafin dhe iniciativën e tyre, për të treguar një praktikë solidariteti me Ukrainën”, tha Wigemark.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, tha se Kosova e di nëpër çfarë po kalon Ukraina dhe se “ne qëndrojmë fuqishëm në anën e Ukrainës”.

“Ne në Kosovë e kuptojmë saktë nëpër çka po kaloni, sepse lufta në Kosovë nuk ka shumë kohë që ka ndodhur dhe qytetarët tanë e mbajnë mend fare mirë”, tha ajo.

Gërvalla përmendi edhe programin e strehimit të gazetarëve ukrainas në Kosovë, si dhe sanksionet e ndërmarra.

“Jam krenar se BE-ja ka reaguar në mënyrë të qartë dhe të fuqishme. BE-ja është e bashkuar në mbështetje të Ukrainës dhe në sanksionimin e Rusisë”, tha shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog

Ai theksoi se Bashkimi Evropian deri tash ka ndarë mbi 4 miliardë euro ndihmë humanitare dhe rreth 1.5 miliard euro për siguri dhe mbrojtje në Ukrainë.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i lartë të kontingjentit ukrainas në KFOR, Ivan Nastenko.

Ai shprehu falënderimin e tij të thellë dhe tha se emocionet e tij janë të përziera.

“Emocionet e mia janë të përziera, në njërën anë ndihem i turpëruar që jam këtu përderisa shokët e mi janë duke e rrezikuar jetën për Ukrainën. Në anën tjetër, jam shumë krenar sot që jam këtu dhe shërbej para partnerëve ndërkombëtarë, që gjithmonë janë të gatshëm të ndajnë barrën me çfarë i dërgojnë një mesazh të qartë gjithë botës së Ukraina nuk është e vetme në këtë luftë”.

XS
SM
MD
LG