Ndërlidhjet

Koronavirusi - mjeti i ri rus për përhapjen e lajmeve të rreme?!


Një punëtor në një laborator në Kinë mban në duar mostrat e koronavirusit të ri, të emëruar COVID-19.

Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se Rusia, përmes rrjeteve sociale, po përhap dezinformata për Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se koronavirusi i ri vjen nga SHBA-ja, si mjet i luftës së saj tregtare kundër Kinës.

“Synim i Rusisë është të ngjallë dyshime dhe t’i minojë institucionet dhe aleancat e SHBA-së”, tha për agjencinë AFP Philip Reeker, ushtrues i detyrës së ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë.

“Në këtë rast, kemi mundur të shohim një sistem të tërë dezinformacionesh, përfshirë nga televizioni shtetëror, ueb-faqet dhe mijëra profile të rreme në rrjetet sociale, që shtyjnë përpara të njëjtin rrëfim”, tha po ashtu për AFP-në Lea Gabrielle, drejtore e Qendrës për Përfshirje Globale.

*Video: Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?

Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:38 0:00

Sipas kësaj agjencie, fushata e dezinformatave në SHBA u identifikua në mes të muajit janar, menjëherë pasi u publikuan informacionet për vdekjen e personit të tretë nga koronavirusi.

Sipas zyrtarëve amerikanë, fushata e dezinformatave promovon teori të pabaza se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pas koronavirusit dhe kështu i pengon përpjekjet globale për të frenuar përhapjen.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë në një konferencë për media se pretendimet e SHBA-së janë një "gënjeshtër e qëllimshme".

Rrjetet sociale, terren për “teoritë e komplotit”

Në mediat sociale ka çdo ditë postime me teori të ndryshme rreth prejardhjes së koronavirusit, i cili është emëruar COVID-19.

Edhe pse është vështirë të përcaktohet vërtetësia e llogarive në rrjetet sociale, si dhe prejardhja e përdoruesve të tyre, vihet re një numër i madh i komenteve që bëjnë “tag” SHBA-në, pa asnjë argument që i mbështet pretendimet e tyre.

Në një postim në Twitter, më 16 shkurt, Shtetet e Bashkuara akuzohen për “shpikje të koronavirusit për luftë tregtare kundër Kinës”.

Një përdorues tjetër në Twitter, me emrin "SherdyMe", pretendon ngjashëm, duke thënë:

“Trump ka nisur luftë tregtare me Kinën disa vite më parë, por ka zbuluar se ka humbur më shumë sesa ka fituar. Kina ka qenë ekonomikisht shumë e fuqishme për të. Papritur del koronavirusi që ka fshirë ekonominë kineze. A ka shanse që kjo të jetë luftë biologjike e SHBA-së?”

Në shënjestër të sulmeve të tilla është edhe bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates.

Në një postim të një përdoruesi në Twitter shprehet frikë dhe panik nga vaksinat që pretendohet se do t’i financojë Gates.

“Është e trishtueshme që qeveritë do ta bëjnë të detyrueshme për njerëzit që t’i marrin ato (vaksina)”, thuhet në një postim të datës 17 shkurt.

Në muajin janar, Fondacioni i Bill Gates ka njoftuar se do të ndajë dhjetë milionë dollarë për Kinën dhe Afrikën, për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.

Teoritë e komplotit mediatik kundër SHBA-së

Teoritë e komplotit, megjithatë, nuk janë vetëm pjesë e platformave digjitale, por edhe e programeve televizive.

Në lajmet e mbrëmjes në televizionin shtetëror rus “TV Onehas”, më 5 shkurt, folësi ka thënë se koronavirusi “lidhet” me presidentin amerikan, Donald Trump.

“Çfarë ka bërë Donald Trump në jetën e tij më parë? Ai është president i një vendi që është kundërshtari kryesor i Kinës në nivel global. Por, ai dikur ka shpërndarë kurora në garat për bukurinë (v.j. korona në gjuhën ruse do të thotë kurorë). Pra, origjina e koronavirusit dhe, çfarë është më e rëndësishmja, qëllimet e përdorimit të tij janë absolutisht të qarta”, ka thënë në edicionin e drejtpërdrejtë të lajmeve folësi Kiril Klejmjonov, i cili ka miliona shikues.

Vetë prezantuesi ka pranuar se akuzat tingëllojnë si marrëzi, por më pas ka thënë se ai beson në ato pretendime.

Keqinformimi kërcënon luftën kundër koronavirusit

Disa shkencëtarë në fushën e mjekësisë, që kanë përcjellë koronaviursin nga fillimi, kanë dalë me një deklaratë për revistën mjekësore “Lancet”, duke thënë se teoritë e konspiracionit kërcënojnë luftën globale kundër koronavirusit.

"Teoritë e konspiracionit nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse krijojnë frikë, nxisin thashetheme dhe paragjykime, që kërcënojnë bashkëpunimin tonë global në luftën kundër këtij virusi", thuhet në deklaratë.

Për pasojat e rrezikshme të lajmeve të rreme ka paralajmëruar në disa raste edhe shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, më 15 shkurt, Ghebreyesus ka shfaqur shqetësimin e tij nga shpërndarja e lajmeve të rreme.

"Ne jemi të shqetësuar për nivelin e thashethemeve dhe dezinformatave që kërcënojnë përgjigjen (ndaj koronavirusit)", ka thënë Ghebreyesus.

Koronavirusi besohet se e ka origjinën në provincën Hubei të Kinës.

Rastet e para në Vuhan - qytet me 11 milionë banorë - janë raportuar në dhjetor të vitit të kaluar.

Shenjat kryesore të infektimit me koronavirus janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Sipas shifrave të fundit, numri i rasteve të prekura ka kaluar tashmë 80,000, ndërsa të vdekur janë raportuar mbi 2,600 persona, shumica në Kinë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG