Ndërlidhjet

Koronavirusi mund të shtyjë mocionin për rrëzimin e qeverisë?


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryemnistri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se pavarësisht vështirësive nëpër të cilat po kalon koalicioni qeverisës, nuk do ta ndërpresë punën e tij dhe nuk do të ndalet para pengesave.

Qeveria e Kosovës ka pësuar luhatje, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë lindur ndërmjet dy partnerëve të koalicionit, Lëvzjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas vendimit të Kurtit për të shkarkuar Agim Veliun nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo e fundit ka iniciuar dhe proceduar në Kuvendin e Kosovës mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Mocioni i iniciuar nga LDK-ja për rrëzimin e qeverisë së kryeminstrit Kurti ka marrë mbështetjen e të gjitha partive opozitare.

Kryeministri Kurti, gjatë një konference për media të shtunën, lidhur me angazhimet dhe masat e qeverisë në luftë kundër virusit COVID-19, që njihet si koronavirusi i ri, ka deklaruar se që nga nisma e LDK-së për mocion mosbesimi e deri më tash, nuk është takuar me përfaqësuesit e partive opozitare.

“Jo, nuk i kam takuar dhe nuk kemi biseduar për këtë gjë. Jemi plotësisht të përkushtuar në punën që bëjmë në këtë situatë, kur shëndeti publik është para së gjithash dhe mbi të gjitha. Preokupimi im nuk është java e kaluar, në kuptimin politik, por java e ardhshme në kuptimin shëndetësor”, ka thënë Kurti.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të rikthejë në pozitën e mëparshme ministrin Agim Veliu, si dhe ta heqë tërësisht tarifën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kryeministri Kurti, të paktën deri më tash, ka refuzuar kthimin e Veliut në qeveri, ndërkaq, nga 21 marsi, ka nisur zbatimin e vendimit për heqjen e tarifës prej 100 për qind për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në anën tjetër, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë për median lokale, Gazeta Express, që e gjithë kjo situatë ka ardhur pasi kryeministri Kurti i ka afër vetes, siç i ka quajtur ai, "disa kokëkrisur".

Konsideroj se po të mos i kishte z. Kurti disa kokëkrisur afër tij, që gjërat i interpretojnë kështu, nuk do të kishim ardhur në këtë situatë ku jemi”, ka thënë Mustafa.

Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se situata politike e krijuar si rezultat i përplasjeve brenda koalicionit qeverisës, është krejtësisht e pakuptimtë për qytetarët e Kosovës, në gjendjen aktuale me koronavirusin.

Analisti i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se në bazë të deklaratave që kanë dhënë përfaqësuesit e të dy partnerëve të koalicionit qeverisës, Vetëvendosjes dhe LDK-së, çarja e krijuar ndërmjet tyre është shumë e madhe.

“Ekziston një hendek i pakapërcyeshëm, sepse nuk ka asnjë indikacion që qëndrimet e tyre do të mund të ktheheshin prapa, repsektivisht vendimi i kryeministrit Kurti për shkarkimin e Agim Veliut ose pranimi i LDK-së që të vazhdojë bashkëqeverisjen pa prezencën e Veliut në qeveri. Në bazë të deklarimeve, shihet që nuk ekziston vullneti që të kërkohet një rrugë e mesme dhe, sipas të gjitha gjasave, do të procedohet me mocionin e mosbesimit në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Muhaxhiri.

Sipas tij, marrë parasysh disponimin e LDK-së, por edhe të partive opozitare, në rast se mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për mocionin e mosbesimit ndaj qeverië, nuk do të ketë problem për t’u siguruar shumica e votave (61 vota) për kalimin e mocionit të mosbesimit.

Megjithatë, sipas tij, në mënyrë paradoksale, koronavirusi mund të jetë pengesa e vetme që të mos bie qeveria.

Për të rejat e fundit rreth koronavirusit në botë, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.

“Në Kuvendin e Kosovës nuk mund të respektohet distanca sociale ndërmjet deputetëve, prandaj edhe ekziston mundësia që seanca të shtyhet për çështje teknike ose eventualisht të kërkohet ndonjë hapësirë tjetër, e cila në këtë situatë emergjente do të mund ta zëvendësonte hapësirën e Kuvendit të Kosovës. Pra, të zhvendosej kjo mbledhje në një ambient tjetër, i cili do ta mundësonte respektimin e distancës sociale prej 1.5 deri 2 metra larg njëri-tjetrit”, tha Muhaxhiri.

Insitucionet shëndetësore të Kosovës janë duke u sjellë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Shendetësisë, të cilat si masë parandaluese ndaj përhapjes së koronavirusit, nuk parashohin tubimet e njerëzve.

Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se respektimi i distancës sociale është rekomandim për të gjithë qytetarët e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të infeksionit dhe se rregullat vlejnë për të gjithë.

Kryeministri Kurti, më 18 mars, ka shkarkuar Agim Veliun nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, me arsyetimin se Veliu ishte deklaruar “kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” për shkak të situatës me koronavirus. Po ashtu, sipas Kurtit, Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.

Për më shumë, një ditë më parë, më 17 mars, shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme kishte rekomanduar edhe vetë kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Po të njëjtën ditë, në mbrëmje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një koferencë për media, deklaroi se do të propozonte në Kuvendin e Kosovës dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas situatës së krijuar me shpërthimin e koronavirusit të ri.

Megjithatë, deri më sot, presidenti Thaçi nuk e ka ndërmarrë këtë veprim.

XS
SM
MD
LG