Ndërlidhjet

Kosova aplikon për anëtarësim në BE


Kurti: Ditë historike për Kosovën
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:02 0:00

Kurti: Ditë historike për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dorëzoi të enjten Çekisë - vendit që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian - aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

“Kemi ardhur në Pragë për të riafirmuar zotimin e pandryshueshëm të Kosovës ndaj vlerave themelore të BE-së, lirisë, demokracisë, të drejtave të njeriut, barazisë dhe sundimit të ligjit, duke dorëzuar aplikimin për anëtarësim [në BE]”, tha Kurti.

Kjo, tha ai, është një ditë historike për Kosovën dhe një ditë e madhe për demokracinë në Evropë.

Ai tha se është i vetëdijshëm që rruga për në BE bazohet në merita të vetë shtetit dhe se nuk kërkon ndonjë "derë anësore" ose "procedurë të shpejtë" për këtë qëllim.

Ceremonia u mbajt në ndërtesën e Qeverisë çeke në Pragë, ndërsa dokumentin e aplikimit e pranoi ministri për Çështje Evropiane i Çekisë, Mikulash Bek.

Aplikimi për anëtarësim në BE është vetëm hapi i parë i një procesi që mund të zgjasë me vite.

I pyetur në lidhje me pengesën që mund të paraqesin pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin Kosovën - Rumania, Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Qiproja - Kurti tha se kur Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me bllokun, në vitin 2015, pesë shtetet ishin dakord.

“Nuk besoj se pakica e shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njeh pavarësinë tonë, do të jetë kundër bashkimit tonë me familjen evropiane”, tha Kurti.

Ministri çek, Bek, tha se e mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

“Vlerësojmë dhe çmojmë arritjet e Kosovës deri më tani. Ne po e plotësojmë një nga prioritetet e Presidencës sonë [të BE-së], sepse në gjashtë muajt e fundit u kemi dhënë vëmendje të jashtëzakonshme çështjeve që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor”, tha Bek.

Në një konferencë për media nga Ambasada e Kosovës në Pragë, Kurti tha se synon që Kosova të arrijë anëtarësimin në BE në kohën mesatare që i është dashur shumicës së vendeve të Evropës për anëtarësim.

“Mesatarja është nëntë vjet, andaj si Republikë e Kosovës, konsiderojmë që është e arsyeshme që ta kemi parasysh këtë mesatare evropiane për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Një ditë më herët, udhëheqësit e Kosovës, përfshirë kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e nënshkruan aplikimin për anëtarësim në BE në Prishtinë, duke e cilësuar si “hap historik” për Kosovën.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, tha përmes një deklarate me shkrim se Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane dhe se BE-ja e mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.

“Kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat për paraqitjen e aplikacioneve janë të përcaktuara me Traktatin e BE-së”, tha Pisonero.

Neni 49 i Traktatit të BE-së thotë se “çdo vend evropian”, i cili respekton vlerat evropiane dhe angazhohet për promovimin e tyre, mund të aplikojë për anëtarësim në BE.

Javën e ardhshme, presidenca çeke e BE-së pritet t’i njoftojë vendet tjera anëtare për aplikimin e Kosovës.

Trajtimin e kësaj çështjeje do ta vazhdojë pastaj Suedia, e cila merr kryesimin e BE-së nga 1 janari.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbetet e fundit në procesin e integrimeve evropiane.

*Video: Hapat drejt BE-së

Anëtarësimi në BE: Edhe tre hapa që duhet t’i bëjë Kosova
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë më shumë përparim në negociatat e anëtarësimit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur sivjet këto negociata, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka marrë statusin e vendit kandidat.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërshtetërore është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të përparojnë në rrugën e integrimit evropian.

XS
SM
MD
LG