Ndërlidhjet

Kosova beson se i ka votat për pranim në INTERPOL


Autoritetet në Prishtinë shpresojnë që Republika e Kosovës gjatë këtij viti do të anëtarësohet në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë, e njohur më shkurtesën INTERPOL.

Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it, ka vendosur që aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, ta vë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në Pekin të Kinës, nga data 26 deri më 29 shtator 2017.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se për këtë çështje janë duke lobuar tek të gjitha vendet me ndikim dhe se, pavarësisht disa paralajmërimeve, sipas tij, nuk ka ndonjë informacion zyrtar se votimi për pranimin e Kosovës në INTERPOL, mund të shtyhet edhe për një vit.

Por, nëse votimi shtyhet, thotë Demaj, do të ndodh me vendim të Komitetit Ekzekutiv të INTERPOL-it, për të gjitha vendet që janë në proces dhe jo vetëm për Kosovën.

Nuk dimë nëse do të shtyhet apo jo. Ne jemi duke lobuar, jemi duke bërë përpjekje që të anëtarësohemi dhe shpresojmë se i kemi votat. Por, kemi disa kërkesa jozyrtare që ky proces, ky votim, të shtyhet nga disa vende mike. Nëse shtyhet votimi për një vit, shtyhet edhe për shtetin e Palestinës dhe Ujdhesat Solomone, por jo vetëm për Kosovën”, thotë Demaj.

Qeveria në largim e Kosovës, thekson Demaj, shpreson që Kosova i ka siguruar të gjitha votat e nevojshme për anëtarësim në INTERPOL.

Kemi pasur takim edhe më vendet e Kuintit dhe besoj se deri më 15 shtator do të jetë një rezultat apo pasqyrë sesa janë mundësitë, sipas mbështetjes së vendeve mike që të anëtarësohemi në INTEPOL”, thotë ai.

Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do t’i avanconte shumë kapacitetet e saj në luftë kundër të gjitha krimeve, si dhe do të fuqizonte shtetësinë dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar, thotë eksperti për çështje të sigurisë, Burim Ramadani, nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC.

Sipas tij, anëtarësimi i Kosovës në INTEPOL, eliminon një numër të madh të pengesave në raport me shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës se Kosovës.

Rëndësia kryesore është tek fuqizimi i luftës së krimit të organizuar trans-nacional dhe luftës kundër terrorizimit, sikurse edhe në aspektin politik është një elemente shtesë për subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Ramadani për Radion Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se institucionet e Kosovës, nuk kanë lobuar mjaftueshëm për anëtarësim në këtë organizatë, pasi që, sipas tij, muajve të fundit Kosova është fokusuar në politikat e brendshme dhe jo në aspektet e interesit nacional jashtë Kosovës.

Pavarësisht deklaratave që jepen nga institucionet e caktuara, personalisht nuk shoh ndonjë qasje serioze dhe kuptimplote të Kosovës për lobim në anëtarësimin në INTERPOL”.

Gjasat për anëtarësim nuk mund të vlerësoj se janë shumë të mira, megjithëse vendimi për anëtarësim në INTEPOL është vendim politik, sepse në aspektin profesional, kriteret Kosova i ka plotësuar sikurse të gjitha vendet tjera anëtare të INTERPOL-it”, thekson Ramadani.

Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në INTERPOL edhe në prill të vitit 2015, por vitin e kaluar kjo organizatë kishte suspenduar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG