Mbi 2.000 raste të dhunës në familje dhe tetë gra të vrara në Kosovë gjatë vitit 2026

"S'ka paqe pa sigurinë e grave" - shkruan në murin e një ndërtese gjatë një proteste të organizuar në Kosovë kundër dhunës ndaj grave.
"S'ka paqe pa sigurinë e grave" - shkruan në murin e një ndërtese gjatë një proteste të organizuar në Kosovë kundër dhunës ndaj grave.

Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, që shënohet më 25 nëntor, e gjen Kosovën me shifrën më të lartë të regjistruar të grave të vrara brenda një viti në vitet e fundit dhe me mbi 2.000 raste të raportuara të dhunës në familje.

Deri në fund të tetorit, tetë gra janë vrarë në Kosovë nga partnerët dhe ish-partnerët e tyre – shifra më e lartë e regjistruar brenda një viti që nga viti 2010.

Edhe nëse krahasohet me vitin paraprak, shifra është shumë e lartë, pasi më 2025, sipas të dhënave zyrtare, ishte regjistruar një grua e vrarë si pasojë e dhunës në familje.

Shifra të larta janë regjistruar edhe sa i përket rasteve të raportuara në Polici të Kosovës për dhunën në familje. Në periudhën janar-shtator të këtij viti 2.052 raste të dhunës në familje janë raportuar tek autoritetet dhe 1.626 viktima ishin të gjinisë femërore.

Ndërkaq, gjatë gjithë vitit të kaluar ishin raportuar 2.815 raste të dhunës në familje, kur po ashtu shumica dërmuese e viktimave i takonin gjinisë femërore.

Grupmosha më e prekur nga dhuna në familje gjatë këtij viti, sipas të dhënave është ajo 20-30 vjeç – me 498 viktima, pasuar nga 30-40 vjeç me 494 viktima të dhunës në familje. Edhe vitin paraprak, nga këto dy grupmosha ishin regjistruar më së shumti viktima të dhunës në familje.

Ndërkaq, kryesit e dhunës në familje, sipas të dhënave deri në shtator të këtij viti, kryesisht i përkisnin grupmoshës 30-40 vjeç, përkatësisht 635.

Aktivistët për të drejtat e njeriut vazhdimisht ngrenë zërin për të drejtat e grave dhe kërkojnë që Femicidi është vrasja e qëllimshme e një gruaje ose vajze për shkak të gjinisë së saj, shpesh nga partneri intim ose një anëtar i familjes. të trajtohet si urgjencë kombëtare.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave në Prishtinë do të mbahet edhe një protestë e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ku një ndër kërkesat është që të bëhen ndryshime në Kodin Penal dhe femicidi të përkufizohet si vepër e veçantë “duke njohur motivin gjinor dhe kontekstin e dhunës që mund t’i paraprijë vrasjes së një gruaje”.

Megjithatë, protesta e sotme është një në mesin e disa protestave të organizuara ku aktivistët dhe protestuesit kanë kërkuar përgjegjësi dhe veprim institucional për vrasjen e grave.

Protestat u nxitën pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, e cila më 25 tetor dyshohet se u vra nga ish-kunati, disa minuta pasi ishte kthyer nga Policia pasi kishte denoncuar bashkëshortin – prej të cilit ishte ndarë – për dhunë në familje.

Rasti i Zekajt nxiti reagime të shumta për faktin se ajo kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Ndaj saj, autoritetet kishin lëshuar edhe urdhër mbrojtës që, ndër të tjera, parashihte që bashkëshorti i saj të mos i afrohej në një distancë prej dy metrash brenda shtëpisë së përbashkët dhe 20 metra në ambiente të tjera.

Tre ditë para vrasjes, ajo i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës – tashmë të pezulluar nga puna pas këtij rasti – për moszbatimin e vendimit gjyqësor.

Sipas të dhënave të një databaze të Ministrisë së Drejtësisë, në Pejë gjatë këtij viti figuron vetëm se vetëm një urdhër për mbrojtje të përkohshme emergjente është lëshuar nga institucionet. Në nivel vendi, Mitrovica prin me numrin më të lartë të urdhrave të tillë të lëshuar, përkatësisht 72, për periudhën janar-shtator.

Edhe gjatë gjithë vitit paraprak, më së shumti urdhra për mbrojtje emergjente ishin lëshuar në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht 61.

Shteti ka edhe mekanizma të tjerë për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, siç është ofrimi i strehimit të përkohshëm të tyre.

Në denoncimin e fundit në Polici, pak para se të vritej, autoritetet e kishin pyetur nëse dëshironin ta dërgonin në strehimore, por Zekaj kishte refuzuar, duke këmbëngulur të kthehej në shtëpi, ku gjendeshin edhe familjarët e bashkëshortit të saj.

Ajo kishte pranuar se nuk ndihej e sigurt në shtëpinë në Vitomiricë të Pejës, por kishte thënë se nuk do të hiqet dorë as nga djali i saj i mitur, e as nga pasuria.

Ky rast nxiti edhe formimin e komision parlamentar për të hetuar nëse kishte mungesë veprimesh nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në lidhje me vrasjen e Zekajt, teksa autoritetet i kanë pezulluar 13 zyrtarë që ishin marrë me rastin e saj për dhunë në familje.

Lidhur me rastin është arrestuar ish-kunati i saj, i dyshuari për vrasjen i cili gjendet në paraburgim, ndërkaq katër të tjerë janë ndaluar.

16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore

Me Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj grave nis edhe fushata 16 ditët e aktivzimit kundër dhunës me bazë, që përfundon më 10 dhjetor.

Kjo fushatë këtë vit përqendrohet në mbajtjen përgjegjës të personave që ushtrojnë dhunë ndaj grave, por edhe për inkurajimin e raportimeve të rasteve.

Në nisje të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore në Kosovë, kryeparlamentarja e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se kjo dhunë ka rrënjët te “pabarazia dhe te normat që u kanë rrënjosur bindjen se burrat kanë të drejtë të vendosin për jetën e një gruaje”.

Përmes një video-adresimi, Haxhiu u shpreh se përgjegjësia për dhunën është gjithmonë e personit që e ushtron, por përgjegjësia për ta ndaluar është e institucioneve, familjeve dhe shoqërisë.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u bëri thirrje grave që të raportojnë dhunën ndaj tyre.

Ajo tha se luftimi i dhunës kërkon jo vetëm angazhim institucional, por edhe një qëndrim të palëkundur shoqëror.

Ministrja e Drejtësisë tha se nga viti 2019 deri në tetor të këtij viti, në Kosovë janë regjistruar 19.916 raste të dhunës në familje dhe gjatë kësaj periudhe janë vrarë edhe 33 gra.

“Mos jetoni nën kërcënimin e dhunës, mos heshtni, mos e arsyetoni dhe mos e toleroni”, porositi Gërvalla përmes një video-adresimi.

Nisja e fushata 16 ditë të aktivzimit kundër dhunës me bazë gjinore në Kosovë, vjen një ditë pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimet për vrasjen e Liridona Ademajt, një tjetër gruaje viktimë të femicidit.

Për vrasjen e vitit 2023, bashkëshorti i saj, Naim Murseli është i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërkaq, dy persona të tjerë janë dënuar me 30 vjet burgim.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, Murseli kishte organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, për shkak të raporteve jo të mira martesore, por edhe me qëllim që të përfitonte financiarisht nga një policë e sigurimit të jetës në emër të viktimës, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.

Megjithatë, ka edhe disa raste të tjera të grave të vrara në Kosovë, familjarët e të cilave presin drejtësi.

Dhuna ndaj grave dhe vrasja e tyre është shndërruar në një dukuri shqetësuese në mbarë botën.

Sipas të dhënave të raportit të publikuar një ditë më parë nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin dhe UN Women, më 2025 afër 47 mijë gra dhe vajza u vranë nga partnerët e tyre ose familjarët në mbarë botën.

Sipas raportit, shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat.

Sipas shifrave, 60 për qind u vranë nga partnerët apo familjarët e tyre. Mesatarisht, u tha në raport, çdo ditë 129 gra dhe vajza u vranë nga njerëzit e rrethit të tyre të afërt.

​
XS
SM
MD
LG