Ndërlidhjet

Kosova ende në dilemë për kyçjen në gazsjellësin TAP


Termocentrali në Obiliq. Kosova prodhon rreth 95 për qind të energjisë elektrike nga djegia e thëngjillit.
Termocentrali në Obiliq. Kosova prodhon rreth 95 për qind të energjisë elektrike nga djegia e thëngjillit.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe disa parti opozitare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të pranojë investimin amerikan për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.

Kosova, sipas tyre, ka nevojë për rritje të diversitetit të burimeve të energjisë elektrike dhe investimi në infrastrukturën e gazit duhet të fillojë sa më shpejt.

Projekti për zhvillimin e sektorit të gazit natyror po vazhdon të diskutohet mes Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Opsioni që është më i studiuari për këtë projekt është ndërtimi i infrastrukturës së gazit, që do t’i jepte qasje Kosovës - përmes Maqedonisë së Veriut - në tregun e gazit natyror në Azerbajxhan.

MCC-ja ka alokuar një grant deri në 200 milionë dollarë që do të mund të shfrytëzohej për ndërtimin e kësaj infrastrukture.

Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të humbë mundësinë e këtij projekti dhe të njëjtin të bëjë pjesë të strategjisë me cakun kryesor dekarbonizimin ose largimi nga vartësia prej qymyrit.

“Dy gjëra janë të rëndësishme. E para që përkushtimi i marrë me deklaratën e samitit të Sofjes të përkthehet në strategjinë e energjisë si dhe në planin kombëtar për energji dhe klimë. Ky përkushtim është për dekarbonizimi deri në vitin 2050. Elementi i dytë që duhet bërë është koordinimi i veprimeve tona me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara”, thotë Abazi.

Kosovës, shton Abazi, tani vetëm i duhet një projekt më i detajuar siç është: në cilin vit do të futet gazi dhe në çfarë përqindje do të largohet qymyri si rrjedhojë e kësaj.

Dilemat e qeverisë për linjën e gazit

Përveç konfirmimit që Qeveria e Kosovës e ka bërë për projektin për zhvillimin e sektorit të gazit natyror, për këtë është deklaruar për Zërin e Amerikës edhe një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Ai ka thënë se ‘diskutimet janë duke vazhduar nëse Qeveria e Kosovës do ta mbështesë këtë propozim’.

Por, pavarësisht diskutimeve që po bëhen, qeveria ka paraqitur dilema rreth projektit.

“Kostoja kapitale e investimit është njëra prej tyre dilemave”, ka thënë javën e kaluar, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Varësisht prej cilit model dhe cilit opsion, ka thënë Rizvanolli, llogaritjet janë që mund të kushtojë deri 600 milionë ose më shumë.

Një analizë preliminare financiare e investimit, në veçanti qartësimi se cila do të ishte kostoja totale, çfarë implikimesh do të kishte prodhimi i energjisë elektrike nga gazi në tarifat që do t’i paguanin qytetarët dhe bizneset, janë detaje që po kërkon qeveria, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka akuzuar Qeverinë Kurti se po humb afatet për fillimin e projektit të ndërtimit të infrastrukturës së gazit.

“A është kjo mënyrë për të dështuar këtë projekt në shërbim të ndonjë projekti alternativ që e ceki presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili paralajmëroi Autostradën e Paqes dhe gazsjellësin rus për Kosovë?”, ka pyetur Haradinaj gjatë një seance parlamentare.

Shumëfishimi i burimeve të energjisë dalin edhe nga zotimet që Kosova i ka dhënë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Uashingtonit në vitin 2020.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka thotë se çështja e depërtimit të gazit të lëngshëm natyror në shtetet e Ballkanit Perëndimor është një nga interesat strategjike të SHBA-së, por përtej këtyre, Kosova vetë ka nevojë për diversifikimi të burimeve të energjisë.

“Kosova me këtë projekt do të harmonizonte interesat e saj me interesat e partnerëve strategjikë, në këtë rast me SHBA-në”, thotë Zeka.

Zeka thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk mund të flitet për zhvillim të qëndrueshëm ekonomike as për fuqizim të kapaciteteve industriale të Kosovës, për aq kohë që burimi gati i vetëm i furnizimit me energji elektrike gjenerohet nga burimet fosile, që po ashtu shkaktojnë ndotje të madhe në mjedis.

Kyçja e Kosovës në projektet rajonale të furnizimit me gaz natyror është paraparë edhe në Strategjinë e Energjisë e Republikë së Kosovës 2017-2026.

Në këtë strategji thuhet se projekti i gypit Trans Adriatik (TAP) i ka krijuar Kosovës mundësi të mëdha për t’u kyçur në rrjetin ndërkombëtar të gazit natyror.

“Në këtë rrafsh, varësisht nga zhvillimet e projekteve rajonale të gazit në Evropën Juglindore, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për të qenë e përfshirë në projektet e përbashkëta të Komunitetit të Energjisë për gazin natyror”, thuhet në këtë strategji.

Kosova siguron energji elektrike nga thëngjilli

Sasinë më të madhe të energjisë elektrike, Kosova e prodhon nga djegia e qymyrit në termocentralet e Obiliqit. Rreth 95 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, 2.7 për qind nga hidrocentralet si dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet diellore.

Metoda e prodhimit të energjisë elektrike nga thëngjilli konsiderohet e dëmshme për mjedisin si dhe shkakton ndotje të lartë të ajrit.

Vitet e fundit, Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme sa i takon ndotjes së mjedisit, nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, e po ashtu edhe nga djegia e thëngjillit nga bizneset dhe shtëpitë private.

Në vitin 2020, kompania ContourGlobal ishte tërhequr nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, për arsye se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Kosova edhe më tutje vazhdon të përballet me ndërprerje të kohëpaskohshme të energjisë elektrike.

Facebook Forum

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG