Ndërlidhjet

Kosova në pritje të masave të reja kundër COVID-19


 Testimet për COVID-19 në Institutin Kombëtar tw Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK)
Testimet për COVID-19 në Institutin Kombëtar tw Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK)

Mëngjesin e së enjtes, dy fëmijët e Afërdita Rraifit nga Prishtina, djali 8-vjeçar dhe vajza 4 vjeçe, janë testuar në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), pasi kanë shfaqur simptoma të koronavirusit.

“Burri ka dalë pozitiv. Fëmijët tash kanë pasur simptoma gjatë natës, temperaturë dhe të vjella”, tha ajo.

Në mesin e shumë qytetarëve që po prisnin për t’u testuar ishte edhe Dardan Krasniqi nga Prishtina. Ai u testua bashkë me gruan dhe vajzën e tij dy vjeçe.

“Vajza e vogël e dhe gruaja kanë simptoma. Një rapid test që e bëri gruaja doli pozitiv dhe erdhëm në IKSHPK për ta vërtetuar”, tha ai.

Varianti Omicron tashmë është dominues në Kosovë, kurse profesionistët shëndetësorë thonë se në rrethin familjar kur preket një anëtar, virusi pasohet pothuajse te të gjithë anëtarët tjerë.

Kosova ditëve të fundit është përballur me rritjen e rasteve me COVID-19. Më 20 janar janë shënuar 2,708 raste me të infektuar dhe një rast vdekje.Grup-mosha më e prekur është ajo nga 10 – 19 vjec, me gjithësej 899 raste.

Në 7-ditëshin e fundit (nga 14-20 janari) Kosova regjistroi 8,220 raste dhe dy vdekje.

Temperaturë deri në 39 gradë deri në tri ditë me radhë, ethe, kollë e thatë, lodhje, rrjedhje hundësh dhe dhembje muskujsh janë simptomat që manifestojnë pacientët e prekur me koronavirus në Kosovë.

Për të ngadalësuar rritjen e shkallës së infektimit, institucionet në Kosovë kanë paralajmëruar kufizimet e reja, të cilat pritet të prekin punën e gastronomisë dhe të lëvizjes.

“Nuk ka vend për shqetësim”

Po ashtu, është rritur edhe numri i hospitalizuarve nga koronavirusi. Më 1 janar ishin hospitalizuar 4 persona me COVID-19, kurse më 20 janar, 70 persona.

Hatixhe Gashi, infektologe, e cila punon në Klinikën Infektive në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se të hospitalizuarit janë raste të lehta, sidomos ata pacientë që e kanë kaluar sëmundjen dhe ata që janë vaksinuar.

“Nuk ka raste shumë (në spital) krahasuar me rritjen (e rasteve) në terren. Kryesisht, forma të rënda të sëmundjes janë rastet e pavaksinuara. Të vaksinuarit dhe ata që e kanë kaluar në rrugë natyrale, pavarësisht formës se si e kanë fituar imunitetin, janë forma më të lehta të sëmundjes dhe po trajtohen krejt nëpër shtëpitë e tyre”, thotë Gashi.

Në Kosovë, rreth 44 për qind e popullatës është e vaksinuar. Në vende evropiane, siç janë Gjermania, Franca, Italia, kjo shifër e kalon 70 përqindëshin.

Disa qytetarë në Prishtinë të enjten janë ankuar se vaksinimi në kryeqytetin e Kosovës bëhet në një Qendër të Mjekësisë Familjare (QKMF) në lagjen “Emshir.

“Në krahasim me përpara sa ishte te Salla ‘1 Tetori’, tash është shumë keq e organizuar sepse ka shumë njerëz në një sipërfaqe shumë të vogël”, tha Ylber Deva nga Prishtina, i cili bashkë me bashkëshorten kanë marrë dozën e tretë të vaksinës.

Ministria e Shëndetësisë për Radion Evropa e Lirë ka thënë më herët se plani i vaksinimit në masë ka paraparë që pas 15 dhjetorit 2021, të bëhet tranzicioni i procesit të vaksinimit nga qendrat si “1 Tetori” apo të ngjashme, në kuadër të QKMF-ve.

Sipas MSH-së, komunat kanë vendosur vetë se në cilat lokacione do të bëhet procesi i vaksinimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG