Ndërlidhjet

Kupchan: Serbia do ta njohë Kosovën në këmbim të anëtarësimit në BE


Nga e majta: I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Fotografi arkivi.

Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, shpreh bindjen se Serbia, në fund, do ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, në këmbim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por, mbetet të shihet se si dhe kur do të realizohet ky qëllim, thotë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Marrë parasysh disponimin e publikut serb, i cili është kundër hyrjes së Serbisë në BE, nëse kusht për këtë është njohja e Kosovës, shtrohet pyetja se a mund të heqë dorë Serbia nga integrimet evropiane?

“Mendoj se ka pak mundësi për këtë“, përgjigjet Kupchan.

Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qenë “i aftë në balancim dhe uljen në dy karrige”.

Radio Evropa e Lirë: Si e komentoni letrën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dërguar udhëheqësve të Kosovës dhe të Serbisë, e cila thekson se normalizimi i plotë i marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit është thelbësor për Ballkanin Perëndimor?

Charles Kupchan: Letra e Macronit dhe Scholzit vjen në kohën e duhur dhe bart mesazhin e duhur. Rritja e tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës - dhe në të gjithë rajonin në përgjithësi - kërkon një angazhim më të madh, evropian dhe transatlantik.

Edhe Macron, edhe Scholz kanë vërtet të drejtë kur thonë se ajo që nevojitet, është normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka kohë që Beogradi dhe Prishtina duhet të marrin vendime të vështira dhe t’i arrijnë kompromiset e nevojshme për këtë qëllim.

Radio Evropa e Lirë: Nga 1 shtatori, Kosova dhe Serbia kanë nisur të zbatojnë marrëveshjen për lëvizje të lirë, pa letra hyrëse/dalëse. Si e komentoni faktin që Prishtina dhe Beogradi, pas disa muajsh e vitesh tensione, janë marrë vesh së paku për diçka?

Charles Kupchan
Charles Kupchan

Charles Kupchan: Kosova insiston në sovranitet të plotë. Qofshin në pyetje dokumentet personale apo targat, është e kuptueshme që Kosova dëshiron të funksionojë si një vend normal. Është pozitive arritja e marrëveshjes për dokumentet personale, së paku. Do të shohim nëse do të ketë marrëveshje për targat e makinave, në dy muajt e ardhshëm. Por, ka ca përparim, së paku në kuptimin më të ngushtë të fjalës.

Në një kuptim më të gjerë, jemi dëshmitarë të ringjalljes së tensioneve ndërmjet grupeve të ndryshme në të gjithë rajonin - gjë që ndikon në situatën në Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, pastaj në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut... Pra, tensionet në rajon po rriten, në vend që të ulen.

Ka disa arsye për këtë. Njëra është pandemia, që ka çuar në rënie ekonomike. Është edhe lufta në Ukrainë, e cila ka shkaktuar polarizime politike në nivel global, përfshirë edhe Ballkanin, duke detyruar Serbinë dhe serbët e Bosnjës të marrin disa vendime të vështira. Prandaj, Moska po i intensifikon ndoshta aktivitetet e saj, për të manipuluar situatën në atë rajon.

Gjithashtu, Ballkani tani ndihet disi i lënë pas dore nga SHBA-ja dhe BE-ja, sepse ato u kushtojnë shumë rëndësi ngjarjeve në botë, pas sulmeve të 11 shtatorit - në radhë të parë në Lindjen e Mesme, e tani ngjarjeve në Ukrainë. Pra, për shumë arsye jemi dëshmitarë të rritjes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor dhe Kosova është vetëm një pjesë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe shumica e vendeve perëndimore këmbëngulin që dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit të përfundojë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, me njohje reciproke... Serbia e refuzon këtë dhe kërkon që Prishtina të përmbushë dispozitën e Marrëveshjes së Brukselit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk pranon. A ekziston rreziku i rritjes së tensioneve dhe, madje, i konflikteve të armatosura?

Charles Kupchan: Ekziston një model për tejkalimin e ngërçit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nuk është bërë shumë përparim në zbatimin e tij. Ka disa zhvillime, si ky me dokumentet personale, pastaj për çështjet ekonomike gjatë administratës [së ish-presidentit amerikan, Donald] Trump, por programi i normalizimit ekonomik nuk është zbatuar, ashtu siç nuk është formuar as Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por, ka një plan dhe jam shumë i bindur se si do të përfundojë i gjithë procesi.

Serbia do ta njohë përfundimisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe një nga elementet kyçe të kësaj përpjekjeje, do të jetë integrimi i saj në Bashkimin Evropian. Megjithatë, mbetet të shihet se si dhe kur do të arrihet ky synim.

Radio Evropa e Lirë: Përmendni njohjen e Kosovës nga Serbia. E keni fjalën për njohjen formale, apo njohjen e heshtur, pra modelin e dy Gjermanive?

Charles Kupchan: Unë besoj se njohja formale duhet të jetë parakusht. Kjo është leva që ka Bashkimi Evropian në marrëdhëniet me Serbinë: anëtarësimi i plotë në këmbim të njohjes së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Mirëpo, janë dy trendë negativë. Së pari, vetë lodhja e BE-së me zgjerimin. Në anën tjetër, derisa bëhet gjithnjë e më e qartë se Serbia do të duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në BE, entuziazmi i qytetarëve të saj për integrimin evropian është në rënie. Hulumtimet tregojnë se më shumë se 50 për qind e tyre janë kundër anëtarësimit në BE. Prandaj, shtrohet pyetja nëse anëtarësimi në BE është një shtysë e mjaftueshme që lidershipi serb ta njohë Kosovën...

Charles Kupchan: Besoj se, në fund, do të jetë një nxitje e fortë dhe e mjaftueshme për Serbinë që t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Aktualisht, këto procese janë në regres dhe lufta në Ukrainë është duke tërhequr vëmendjen më të madhe. Fluksi masiv i refugjatëve ukrainas mund të ngadalësojë integrimin evropian. Megjithatë, e konsideroj si një pauzë të përkohshme.

Duhet pasur parasysh se përveç luftës në Ukrainë, bota po kalon edhe një pandemi me të gjitha pasojat e saj, përfshirë edhe ekonomike. Kjo mund të marrë pak kohë, por nuk do të bëhet një rregull i përhershëm i funksionimit.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vite që po përpiqet të balancojë mes BE-së dhe Rusisë. Por tani, për shkak të luftës në Ukrainë, ai nuk mund të ulet më në dy karrige. Marrë parasysh disponimin e publikut, i cili është kundër hyrjes së Serbisë në BE nëse kusht për këtë është njohja e Kosovës, a mund të ndodhë që, në fund, të heqë dorë nga integrimet evropiane?

Charles Kupchan: Mendoj se ka pak mundësi për këtë. Vuçiq është treguar i aftë në balancim dhe në uljen në dy karrige. Megjithatë, nuk besoj se Serbia do të donte të ishte për kohë të gjatë në një limbo strategjike, ose në aleancë me Kinën e Rusinë, kur pjesa tjetër e rajonit është e drejtuar kah integrimi euroatlantik.

Edhe pse Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, lufta në Ukrainë ka treguar fytyrën e vërtetë të Moskës. Është një akt i pamatur agresioni ndaj fqinjit. Pushtimi i Ukrainës dhe shkatërrimi që ka shkaktuar, do të dëmtojnë reputacionin e Rusisë dhe do të dëmtojnë pozicionin e Rusisë në Ballkan - gjë që do të përshpejtojë kthesën e rajonit drejt Evropës dhe distancimin nga Moska.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG