Ndërlidhjet

Kosova vë veten në sprovë me testin PISA


Disa nxënës në një shkollë fillore në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.
Disa nxënës në një shkollë fillore në Prishtinë. Fotografi nga arkivi.

Cilësia e arsimit në Kosovë, edhe ashtu jo e kënaqshme, pritet të dalë më e përkeqësuar në një testim ndërkombëtar vitin e ardhshëm, thonë ekspertë të fushës.

Ministria e Arsimit në Kosovë ka vendosur që vendi, për herë të tretë, t’i nënshtrohet testit ndërkombëtar për nxënësit - të njohur si PISA.

PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.

Ky test e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore në vitin 2015 dhe në vitin 2018.

Rezultatet e testit të parë janë publikuar në vitin 2016, kur Kosova është radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 vendeve që kanë marrë pjesë në test.

Rezultatet e testit të dytë janë publikuar më 2019, me Kosovën në vendin e 77-të, në mesin e 79 vendeve që i janë nënshtruar vlerësimit.

Testi PISA është paraparë të mbahet në vitin 2021, por është shtyrë për vitin e ardhshëm, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ky lloj testi bëhet çdo tre vjet në tri kategori: shkencë, matematikë dhe lexim, si dhe teston një mostër të nxënësve 15-vjeçarë në një vend.

Njohës të fushës së arsimit në Kosovë thonë se nuk presin rezultate të mira në testin e ardhshëm, marrë parasysh mënyrën sesi është zhvilluar mësimi këtë vit dhe vitin e kaluar.

Për shkak të pandemisë, në disa periudha, mësimi është mbajtur online ose me orar të shkurtuar.

MASHTI: Mësimi online, jo i kënaqshëm

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Kosova do të marrë pjesë në testin PISA më 2022, por zyrtarë të saj pranuan se procesi arsimor, sidomos gjatë dy vjetëve të fundit, nuk ka qenë i kënaqshëm.

“Gjatë pandemisë ka pasur çrregullime të shumta të procesit mësimor, gjë që ka rezultuar me humbje të konsiderueshme mësimore”, tha zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Sipas tij, situata mund të përkeqësohet në muajt e mbetur të këtij viti shkollor, varësisht situatës epidemiologjike, andaj, shtoi ai, është “shumë e vështirë” të parashikohet se cili do të jetë ndikimi i pandemisë në rezultatet e testit PISA.

Mungesa e cilësisë në arsim ishte njëra ndër pikat e përmendura edhe në Raportin e Progresit për Kosovën, të hartuar nga Komisioni Evropian.

Ky raport ka nxjerrë në pah se gjithsej 9,070 nxënës në Kosovë ose 2.8 për qind e tyre nuk janë përfshirë në mësimin në distancë, të organizuar gjatë periudhës mars-qershor, 2020.

Megjithëse nuk është prezantuar ndonjë raport i detajuar lidhur me cilësinë apo pjesëmarrjen e nxënësve në sistemin arsimor gjatë dy vjetëve të fundit, nga Ministria e Arsimit thanë se ka pasur disa analiza lidhur me efektet e pandemisë.

“Emëruesi i përbashkët i tyre është se nxënësit kanë humbur gjatë kësaj periudhe, si për shkak të ndërprerjeve të procesit mësimor, ashtu edhe për faktin se mësimi në distancë nuk është treguar si zëvendësim adekuat për mësimin me prezencë”, tha Pupovci.

Ekspertët: Rezultatet e PISA-s, pasqyrim i realitetit

Një vlerësim i jashtëm i sistemit arsimor të Kosovës shihet si më valid dhe më real sesa ndonjë vlerësim i brendshëm për këtë sistem, tha për Radion Evropa e Lirë Rinor Qehaja, ekspert i fushës së arsimit.

Sipas tij, pjesëmarrja e Kosovës në testin PISA është shumë e rëndësishme.

“Është e rëndësishme për të ruajtur trendin statistikor dhe, mbi të gjitha, [është] rikujtues i gjendjes së vërtetë të arsimit”, tha Qehaja.

Po sipas tij, rezultati në PISA vjen nga kurrikula mësimore e “jo nga përgatitja e nxënësve për test një javë më herët”.

Qehaja tha se nuk pret lajme të mira nga testimi që do të bëhet vitin e ardhshëm.

“Nxënësit kosovarë, veçse janë të ekspozuar ndaj një sistemi jocilësor të arsimit... pra, disavantazhi do të jetë shumë më i thellë për t’u bartur edhe në rangim”, tha ai.

Pjesëmarrjen në testin PISA e sheh si të domosdoshme edhe Dibran Hoxha nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

“Kjo është në fund të fundit përballja jonë me realitetin dhe veten. Nuk besoj që mund të ketë përmirësime”, tha ai.

Sipas Hoxhës, pandemia e ka vështirësuar procesin mësimor, por edhe reforma në arsim duhet të bëhet shpejt dhe ajo të fokusohet në cilësinë e mësimdhënies.

“Gjendja ka qenë e përkeqësuar dhe ne, tash e disa vite, kërkojmë që vetting-u në arsimin e lartë t’i filtrojë personat që meritojnë epitetin e mësimdhënësit”, tha Hoxha.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë e kundërshtojnë vlerësimin se mësimdhënësit janë fajtorë për gjendjen në arsim. Rrahman Jashari, kryetar i kësaj sindikate, tha se kritikët e mësimdhënësve, në fakt, nuk e kanë parë nga afër angazhimin e tyre.

“Vlerësimet që na i bëjnë disa, janë të pabazuara, sepse ata nuk kanë qenë asnjë ditë në orët mësimore për të parë sesi punohet. Nuk është faji i mësimdhënësve pse gjendja në arsim është e tillë”, tha Jashari për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Jasharit, shteti duhet të investojë në digjitalizimin e mësimit.

“Në shkollat tona ende mësohet me shkumës e tabelë, e madje tekstet shkollore nuk korrespondojnë me kurrikulën dhe mësimdhënësit gjithmonë janë të sfiduar dhe në telashe për ta mbajtur si duhet mësimin”, tha Jashari.

Për shkak të pandemisë, shumica e vendeve në botë kanë kaluar në mësim online në disa periudha të dy vjetëve të fundit.

“Do të jetë interesante të shihet nëse do të rriten dallimet në mes të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, pasi këto të dytat, ku bën pjesë edhe Kosova, kanë pasur më shumë vështirësi që të organizojnë mësimin në distancë”, tha zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Kosova përballë shteteve fqinje

Kosova çalon në cilësinë e arsimit edhe në krahasim me fqinjët. Nga rezultatet e testit PISA të vitit 2018, vendet fqinje duket se kanë performuar më mirë.

E para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse në këtë test, është radhitur Serbia, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Edhe në vitin 2015, Kosova është renditur më poshtë se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Serbia nuk ka marrë pjesë.

XS
SM
MD
LG