Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar të enjten (7 shtator) se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe 30 raste të reja me koronavirusin e ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Kjo shifër ka dalë pas testimit të 2.347 mostrave të personave të dyshuar si të infektuar me këtë virus.
Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes. Kosova pas mëse dy muajsh nuk regjistron viktima nga kjo sëmundje.
Në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se nga sëmundja janë shëruar edhe 94 pacientë. Ndërsa numri i rasteve aktive është 1.676.
Në Kosovë situata epidemiologjike është përmirësuar pas një përkeqësimi që filloi në muajin gusht. Autoritetet ndërmorrën masa të reja kufizuese duke shpejtuar edhe fushatën e vaksinimit kundër COVID-19.
Deri të enjten, në Kosovë janë dhënë mbi 1.4 milionë vaksina kundër koronavirusit.
Mbi 588.000 qytetarë janë vaksinuar plotësisht me nga dy doza.