Kurti: Vullneti i qytetarëve është brenda kutive të votimit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, tha se vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme, “është brenda kutive të votimit”, duke theksuar se mbrojtja e tij është thelbësore për legjitimitetin dhe kredibilitetin e procesit zgjedhor.
Përmes një postimi në Facevook, Kurti u bëri thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të ushtrojnë me përgjegjësi detyrën e tyre gjatë procesit të numërimit të votave.
“Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike”, shkroi Kurti.
Publikohen exit poll-et e para të zgjedhjeve
Exit poll-et e publikuara nga disa televizione në Kosovë e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në vend të parë, me rreth 42 për qind të votave - dukshëm më pak krahasuar me mbi 51 për qind që fitoi në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Exit poll-et janë sondazhe që realizohen menjëherë pas votimit, zakonisht pranë qendrave të votimit, dhe japin një pasqyrë të hershme të rezultatit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Klan Kosova, pas LVV-së renditen: Partia Demokratike e Kosovës me rreth 21 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me rreth 6 për qind.
Pjesëmarrje më e ulët
Në orën 19:00 është mbyllur afati për hyrje në qendrat e votimit.
Qytetarët që ndodhen brenda qendrave, kanë të drejtë të përfundojnë procesin e votimit.
Deri në orën 17:00, mbi 560 mijë veta ushtruan të drejtën e tyre - rreth 200 mijë më pak krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.