Të dashur lexues,
Radio Evropa e Lirë këtu e mbyll mbulimin direkt të zhvillimeve për zgjedhjet e 7 qershorit.
Duke ju falënderuar për vëmendjen, në vazhdim ju sjellim një përmbledhje të lajmeve kryesore:
- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit dhe la të kuptohet se do të bashkëpunojë me partitë e tjera për formimin e institucioneve.
- Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje fitoi 42.92 për qind të votave, dukshëm më pak se në zgjedhjet e dhjetorit 2025, kur fitoi mbi 51 për qind.
- E dyta u radhit Partia Demokratike e Kosovës me 21.06 për qind, pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.61 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.18 për qind dhe Lista Serbe me 6.17 për qind. Edhe këto parti shënuan lëvizje krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit.
- Pjesëmarrja në votime ishte po ashtu më e ulët, duke arritur rreth 35 për qind, në krahasim me rreth 45 për qind në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar.
- Sipas Policisë së Kosovës, procesi i votimit ka kaluar i qetë, pa ndonjë incident që do të ndikonte në mbarëvajtjen e tij.
Kurti: LVV shënoi fitoren e pestë në shtatë vjet
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë para mbështetësve në Prishtinë pak para mesnatës, duke e cilësuar rezultatin zgjedhor si fitore të partisë së tij.
Ai ka thënë se kjo është fitorja e pestë e LVV-së në zgjedhjet parlamentare brenda shtatë vjetësh, duke përmendur fitoret më 2019, 2021, dy herë më 2025 dhe tani më 2026.
Kurti ka deklaruar se kjo përbën konfirmim të një dekade qeverisjeje të Lëvizjes Vetëvendosje, duke falënderuar mbështetësit për angazhimin e tyre.
Sipas tij, LVV do të vazhdojë të udhëheqë me qeverisje “të mirë dhe demokratike”.
“Ne bëjmë bashkë sigurinë e shtetit dhe kufijve me mirëqenien e qytetarëve. Nuk ka vështirësi që nuk e kemi tejkaluar, sepse tash ka shtet për krejt, e ne jemi krejt për shtet”, ka thënë Kurti, duke përdorur sloganin e partisë.
Ai ka thënë se te LVV-ja qytetarët kanë garanci për mirëqeverisje, ndërsa ka shtuar se partia është e interesuar të punojë, ndryshe nga “blloku opozitar”.
Ai, po ashtu, ka thënë se legjislatura e 11-të duhet të fillojë sa më shpejt dhe ka paralajmëruar takime e bisedime me të gjitha partitë në ditët në vazhdim.
Rezultatet pothuajse përfundimtare
Me gati të gjitha votat e numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve - përjashtuar votat me kusht dhe ato të diasporës - rezultatet janë si vijon:
- Lëvizja Vetëvendosje: 42.92%
- Partia Demokratike e Kosovës: 21.06%
- Lidhja Demokratike e Kosovës: 17.61%
- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: 7.17%
- Lista Serbe: 6.17%
Lista Serbe thotë se fitoi 10 mandate dhe ngre akuza për manipulim
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka deklaruar në një konferencë për media se kjo parti, si subjekti më i madh i serbëve në Kosovë, ka fituar rreth 42.166 vota në zonat ku jeton komuniteti serb.
Ai ka thënë se Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit ka marrë vota në zona ku nuk jeton komuniteti serb.
Ellek ka theksuar se, edhe këtë herë, është regjistruar “inxhinieri politike”, duke përmendur si shembull votat për Rashiqin në Gjakovë, Suharekë dhe Mitrovicë të Jugut.
“Lista Serbe fitoi të dhjetë vendet [e rezervuara për komunitetin serb] në zonat serbe... ne po marrim rezultate nga zonat shqiptare”, ka thënë ai.
Më herët, zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë për mediat në Beograd se Rashiq i ka “marrë” një mandat kësaj partie me votat e shqiptarëve.
“Po vidhet sërish një mandat i popullit serb”, ka deklaruar Simiq.
Me rreth 98 për qind të votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lista Serbe ka marrë rreth 40.000 vota ose 5.89 për qind, ndërsa partia e Rashiqit rreth 5.000 vota, përkatësisht 0.73 për qind.
Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, Lista Serbe ka fituar nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës, ndërsa një mandat i ka takuar partisë së Rashiqit.