Ndërlidhjet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para mbështetësve në Prishtinë më 7 qershor.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para mbështetësve në Prishtinë më 7 qershor.

Kurti shpall fitoren dhe shpreh gatishmëri për bashkëpunim me partitë tjera

E përditësuar
  • Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgedhjeve e nxjerrin LVV-në të parën me 42.92% të votave - nën rezultatin prej mbi 51% në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
  • Rreth 2 milionë qytetarë të Kosovës kishin të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, të cilat u organizuan pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, por pjesëmarrja ishte vetëm rreth 35%.
  • Zgjedhjet u zhvilluan pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e procesit.
22:54 7.6.2026

Rezultatet e deritashme, sipas KQZ-së:

Me mbi 98 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 43.04%; Partia Demokratike e Kosovës 21.11%; Lidhja Demokratike e Kosovës 17.68%; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7.21% dhe Lista Serbe 5.92%.

22:43 7.6.2026
22:37 7.6.2026

Osmani: LVV s’ka arsye ta refuzojë emrin tim për presidente

Ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila ishte bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidate e partisë për presidente, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen në zgjedhje, duke e cilësuar rezultatin për LDK-në si fillim të një faze të re për subjektin politik.

Ajo ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar emrin e saj për postin e presidentes.

"Ajo ka mijëra arsye të thotë 'po' dhe të gjitha ato janë për interesa të shtetit të Kosovës", ka thënë Osmani në një konferencë për media, bashkë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ajo ka shtuar se angazhimi i partisë do të përqendrohet që nga dita e nesërme në ndërtimin e institucioneve funksionale dhe në ofrimin e stabilitetit për vendin.

Me numërimin e mbi 97% të votave, LDK-ja ka fituar 17.68%, krahasuar me 13.2% sa ka fituar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Osmani ka theksuar se vota e qytetarëve ka ndihmuar në ribalancimin e skenës politike dhe në refuzimin e përçarjeve, duke e cilësuar këtë si një mesazh të qartë për të ardhmen politike të vendit.

"Ky është vetëm hapi i parë drejt ringritjes", është shprehur Osmani, duke shtuar se LDK-ja do të vazhdojë të forcohet në muajt dhe vitet në vijim.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.


22:31 7.6.2026

Abdixhiku: LDK-ja shënoi rritjen më të madhe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar në një konferencë për media se LDK-ja ka shënuar rritjen më të madhe ndër subjektet politike në këto zgjedhje, duke e cilësuar këtë si mbështetje për vizionin e partisë.

Ai ka thënë se me 20 mandate, LDK-ja është stabilizuar dhe ka një të ardhme të sigurt, ndërsa këtë rezultat e ka quajtur edhe përgjegjësi politike për veprimet e mëtejshme.

Abdixhiku ka vlerësuar se gara zgjedhore nuk ka qenë e barabartë, duke përmendur propagandë, presion dhe fushatë me gjuhë të ashpër, por ka shtuar se qytetarët “kanë dhënë përgjigje” duke i refuzuar këto praktika dhe duke kërkuar kompromis dhe stabilitet institucional.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG