Çitaku: Pjesëmarrja e ulët është zhgënjim qytetar
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje përbën “zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar”.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e 7 qershorit ka qenë rreth 35%, dukshëm më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur votuan rreth 45% e trupës zgjedhore.
Çitaku ka thënë se ky nivel i pjesëmarrjes është mesazh politik që duhet të merret seriozisht, veçanërisht nga pushteti, duke shtuar se ai “i ka lodhur qytetarët”.
Çitaku ka pohuar se PDK-ja ka konfirmuar pozicionin e saj përfaqësues dhe se partia do të presë rezultatin përfundimtar para se të bëjë publike qëndrimet e saj.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar se zgjedhjet kanë qenë të lira dhe demokratike, por, sipas saj, nuk kanë qenë të barabarta, duke pretenduar për keqpërdorim të resurseve shtetërore nga partia në pushtet - Lëvizja Vetëvendosje.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Me numërimin e mbi 95% të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me 43.47%, Partia Demokratike e Kosovës me 21.40%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.88% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.19%.
- Këto rezultate e nxjerrin Vetëvendosjen dukshëm më poshtë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur kishte marrë mbi 51% të votave. Në ato zgjedhje, PDK kishte fituar 20.2%, LDK 13.2% dhe AAK 5.5%.
- Votat e numëruara deri tani nuk përfshijnë ato të diasporës.
- Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 35%, dukshëm më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur votuan rreth 45% e trupës zgjedhore.
- Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor është zhvilluar qetë dhe pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e tij.
Gjini: Do të punojmë që vota e AAK-së të respektohet
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, deklaroi në një konferencë për media se partia e tij do të punojë që vota e qytetarëve që kanë mbështetur AAK-në, të respektohet plotësisht.
Ai tha se ajo që përfaqëson AAK-ja “patjetër që një ditë do të fitojë”, duke shprehur besim në të ardhmen politike të subjektit.
Gjini mori drejtimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës vetëm pak kohë më parë, duke pasuar kryetarin e deritanishëm, Ramush Haradinaj, i cili e udhëhoqi partinë për më shumë se dy dekada.
Me mbi 90% të votave të numëruara, AAK-ja mori 7.28% në zgjedhjet e 7 qershorit - rezultat dukshëm më i lartë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur kishte fituar 5.5%.
Demokracia në Veprim publikon rezultatet preliminare
Organizata Demokracia në Veprim publikoi rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, bazuar në të dhënat e mbledhura nga vëzhguesit e saj.
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.7 për qind të votave, me një marzh gabimi prej 1.7 për qind.
Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me 21.5 për qind, me marzh gabimi 1.6 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.7 për qind dhe marzh gabimi 1.1 për qind.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori 7.1 për qind të votave, po ashtu me marzh gabimi 1.1 për qind.
Këto rezultate nuk përfshijnë votat me kusht dhe ato të diasporës.