Si janë rezultatet e deritashme në kryeqytet?
Me mbi 62 për qind të votave të numëruara në Prishtinë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.95%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.48%, Partia Demokratike e Kosovës me 18.07% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 4.66%.
Vazhdoni të përcillni Radion Evropa e Lirë për lajme në kohë reale.
Prokurori i Shtetit: Pesë persona të ndaluar për vepra kundër të drejtës së votimit
Prokurori i Shtetit ka bërë të ditur se, deri në këtë fazë të procesit zgjedhor, janë ndaluar pesë persona për vepra penale kundër të drejtës së votimit, ndërsa 12 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Sipas njoftimit, janë trajtuar disa informata në nivel vendi, prej të cilave 17 raste janë vlerësuar si të lidhura me vepra penale zgjedhore, në qytete të ndryshme të Kosovës.
Në proces janë angazhuar mbi 100 prokurorë dhe staf mbështetës, të cilët do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave.
Policia e Kosovës: Zgjedhjet kaluan qetë, pa incidente serioze
Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor në vend ka kaluar në mënyrë të qetë dhe pa incidente serioze, falë zbatimit të planit operativ dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Sipas Policisë, gjatë ditës së zgjedhjeve janë angazhuar rreth 6.300 zyrtarë policorë dhe qindra patrulla për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e procesit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit janë iniciuar 17 raste penale që lidhen me procesin zgjedhor, ndërsa 5 persona të dyshuar janë dërguar në mbajtje.
Po ashtu, janë trajtuar 53 informata të ndryshme, por pa elemente që do të çonin në procedura të mëtejshme ligjore.