Ndërlidhjet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para mbështetësve në Prishtinë më 7 qershor.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, para mbështetësve në Prishtinë më 7 qershor.

Kurti shpall fitoren dhe shpreh gatishmëri për bashkëpunim me partitë tjera

  • Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgedhjeve e nxjerrin LVV-në të parën me 42.92% të votave - nën rezultatin prej mbi 51% në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
  • Rreth 2 milionë qytetarë të Kosovës kishin të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, të cilat u organizuan pas dështimit të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit, por pjesëmarrja ishte vetëm rreth 35%.
  • Zgjedhjet u zhvilluan pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e procesit.
21:47 7.6.2026

Për ju që sapo na jeni bashkuar:

  • Me numërimin e mbi 95% të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me 43.47%, Partia Demokratike e Kosovës me 21.40%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.88% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.19%.
  • Këto rezultate e nxjerrin Vetëvendosjen dukshëm më poshtë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur kishte marrë mbi 51% të votave. Në ato zgjedhje, PDK kishte fituar 20.2%, LDK 13.2% dhe AAK 5.5%.
  • Votat e numëruara deri tani nuk përfshijnë ato të diasporës.
  • Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 35%, dukshëm më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur votuan rreth 45% e trupës zgjedhore.
  • Policia e Kosovës ka njoftuar se procesi zgjedhor është zhvilluar qetë dhe pa incidente që do të ndikonin në mbarëvajtjen e tij.
22:13 7.6.2026

Çitaku: Pjesëmarrja e ulët është zhgënjim qytetar

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se pjesëmarrja e ulët në zgjedhje përbën “zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar”.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e 7 qershorit ka qenë rreth 35%, dukshëm më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur votuan rreth 45% e trupës zgjedhore.

Çitaku ka thënë se ky nivel i pjesëmarrjes është mesazh politik që duhet të merret seriozisht, veçanërisht nga pushteti, duke shtuar se ai “i ka lodhur qytetarët”.

Çitaku ka pohuar se PDK-ja ka konfirmuar pozicionin e saj përfaqësues dhe se partia do të presë rezultatin përfundimtar para se të bëjë publike qëndrimet e saj.

Ajo gjithashtu ka vlerësuar se zgjedhjet kanë qenë të lira dhe demokratike, por, sipas saj, nuk kanë qenë të barabarta, duke pretenduar për keqpërdorim të resurseve shtetërore nga partia në pushtet - Lëvizja Vetëvendosje.

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku - fotografi arkivi
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku - fotografi arkivi
22:31 7.6.2026

Abdixhiku: LDK-ja shënoi rritjen më të madhe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar në një konferencë për media se LDK-ja ka shënuar rritjen më të madhe ndër subjektet politike në këto zgjedhje, duke e cilësuar këtë si mbështetje për vizionin e partisë.

Ai ka thënë se me 20 mandate, LDK-ja është stabilizuar dhe ka një të ardhme të sigurt, ndërsa këtë rezultat e ka quajtur edhe përgjegjësi politike për veprimet e mëtejshme.

Abdixhiku ka vlerësuar se gara zgjedhore nuk ka qenë e barabartë, duke përmendur propagandë, presion dhe fushatë me gjuhë të ashpër, por ka shtuar se qytetarët “kanë dhënë përgjigje” duke i refuzuar këto praktika dhe duke kërkuar kompromis dhe stabilitet institucional.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.


22:37 7.6.2026

Osmani: LVV s’ka arsye ta refuzojë emrin tim për presidente

Ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila ishte bartëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidate e partisë për presidente, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen në zgjedhje, duke e cilësuar rezultatin për LDK-në si fillim të një faze të re për subjektin politik.

Ajo ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar emrin e saj për postin e presidentes.

"Ajo ka mijëra arsye të thotë 'po' dhe të gjitha ato janë për interesa të shtetit të Kosovës", ka thënë Osmani në një konferencë për media, bashkë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ajo ka shtuar se angazhimi i partisë do të përqendrohet që nga dita e nesërme në ndërtimin e institucioneve funksionale dhe në ofrimin e stabilitetit për vendin.

Me numërimin e mbi 97% të votave, LDK-ja ka fituar 17.68%, krahasuar me 13.2% sa ka fituar në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Osmani ka theksuar se vota e qytetarëve ka ndihmuar në ribalancimin e skenës politike dhe në refuzimin e përçarjeve, duke e cilësuar këtë si një mesazh të qartë për të ardhmen politike të vendit.

"Ky është vetëm hapi i parë drejt ringritjes", është shprehur Osmani, duke shtuar se LDK-ja do të vazhdojë të forcohet në muajt dhe vitet në vijim.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke votuar në zgjedhjet e 7 qershorit.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG