Ndërlidhjet

IDK-ja i kërkon Kurtit transparencë për dialogun


Albin Kurti
Albin Kurti

Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) përmes një letre publike drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar atij që të ofrojë “transparencë rreth procesit të dialogut Kosovë-Serbi”

Në këtë letër, IDK-ja ia ka përkujtuar kryeministrit Kurti që gjatë kohës sa ishte në opozitë partia që ai drejton, Lëvizja Vetëvendosje, kishte insistuar në vazhdimësi transparencë dhe llogaridhënie ndaj Kuvendit dhe qytetarëve lidhur me këtë proces dhe se nga ai pritet që t’iu përmbahet këtyre parimeve.

“Më 15 qershor keni marrë pjesë në takimin e parë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me presidentin e Serbisë (Aleksandar Vuçiq), ku keni paraqitur 4 propozime. As para dhe as pas vizitës tuaj në Bruksel nuk keni raportuar në Kuvend lidhur me pozicionin e Qeverisë së Kosovës për të ardhmen e këtij procesi si dhe më konkretisht lidhur me këtë takim”, thuhet në letrën me kërkesën publike të IDK-së.

Ky institut konsideron që mungesa e transparencës po thellohet edhe sot, kur në Bruksel po mbahet takim i kryenegociatorit, z. Besnik Bislimi me palën serbe, ndërkohë që Kuvendi dhe as publiku nuk janë të njoftuar për këtë takim, për temat që do të diskutohen si dhe qëndrimin që do të paraqesë Qeveria e Kosovës.

“Të njëjtat shqetësime vlejnë edhe për takimin e nivelit të lartë, të paralajmëruar për datën 25 korrik, midis jush dhe presidentit Vuçiq”, thuhet në letrën e IDK.

KDI e ka ftuar kryeministrin Kurti “që sa më parë ti drejtoheni Kuvendit të Kosovës” që të raportojë mbi takimet e mbajtura në kuadër të dialogut me Serbinë, duke theksuar që raportimi është përgjegjësi kushtetuese dhe vlerë e qeverisjes së përgjegjshme.

Në Bruksel më 7 korrik mbahen takime mes BE-së me delegacionit të Kosovës, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Një ditë më vonë, BE-ja do të mbajë takim edhe me palën serbe.

Pas takimeve të ndara, palët do të kenë edhe një takim të përbashkët me ndërmjetësimin e BE-së.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, pasi priti në takim Bislimin, tha se "çdo gjë që bisedohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është temë politike dhe nuk ka asgjë teknike".

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011, si dialog për çështje teknike, për të evoluuar më pas në dialog të nivelit politik.

Raundi i fundit i dialogut është mbajtur më 15 qershor të këtij viti.

XS
SM
MD
LG