Ndërlidhjet

Kriza rreth murit në SHBA


Presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence, në takim me përfaqësuesit demokratë, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer. Dhjetor, 2018.

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po përpiqet ta paraqesë kufirin jugor me Meksikën si një "krizë humanitare dhe kombëtare të sigurisë", për të fituar mbështetje për ndërtimin e një muri kufitar.

Mospajtimet me ligjvënësit demokratë për këtë çështje kanë çuar në mbylljen e pjesshme të Qeverisë amerikane, gati që tri javë.

Trump do t’i adresohet të martën kombit për këtë çështje, ndërsa të enjten do të udhëtojë në kufi.

Përpara fjalimit, nënpresidenti amerikan, Mike Pence, tha për gazetarët se në kufi ekziston një krizë dhe i fajësoi demokratët për "refuzimin e negociatave" për të rihapur qeverinë.

Pence iu bashkua sekretarja për siguri kombëtare, Kirstjen Nielsen, e cila tha se status quo-ja e financimit dhe ligjeve “nuk po arrin të trajtojë krizën në kufi”.

Demokratët dhe mbështetës të migrimit thonë se mënyra se si administrata e paraqet çështjen është “e pasaktë” dhe e akuzojnë atë për prodhim të krizës për çështje politike.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke iu bërë thirrje rrjeteve televizive t’iu japin demokratëve shans për t’iu përgjigjur fjalimit të Trumpit, duke thënë se historia sugjeron se fjalimi i tij "do të jetë plot keqdashje dhe keqinformim".

Ata gjithashtu thanë se presidenti duhet ta pranojë se plani i tij për murin nuk ka mbështetje të mjaftueshme në Kongres.

“Demokratët dhe një numër në rritje i republikanëve në Kongres i kanë bërë vazhdimisht thirrje presidentit dhe udhëheqësit të Senatit, Mitch McConnell, të rihapin qeverinë, derisa Kongresi debaton për murin e shtrenjtë dhe joefektiv të presidentit”, thanë Pelosi dhe Schumer.

Gjatë dy javëve të fundit, udhëheqësit demokratë kanë vizituar Shtëpinë e Bardhë dy herë, për të negociuar një marrëveshje me presidentin dhe kanë dështuar.

Shtëpia e Bardhë po shqyrton ligjshmërinë e shpalljes së një emergjence kombëtare në kufi, për të nisur ndërtimin e murit pa miratimin e Kongresit. Në konferencën e tyre për media, Pence dhe Trump vazhduan ta peshojnë idenë.

Mbyllja e pjesshme e qeverisë ka ndërprerë një të katërtën e operacioneve të Qeverisë amerikane qysh më 22 dhjetor dhe ka detyruar rreth 800,000 punonjës federalë të shkojnë në pushim ose të punojnë pa pagesë.

Pence tha se administrata e kupton barrën me të cilën përballen punonjësit e qeverisë.

Përveç 5.6 miliardë dollarëve për murin, administrata kërkon edhe 800 milionë dollarë për "nevojat urgjente humanitare" për t'u kujdesur për migrantët në kufi.

Demokratët, duke refuzuar kërkesën e Trumpit për financimin e murit, kanë ofruar 1.3 miliard dollarë shtesë në shpenzimet për sigurinë e kufirit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG