Ndërlidhjet

Kurti: Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se me marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Serbia do të nisë “të mësohet me reciprocitet”.

Sipas tij, me heqjen e barrikadave nga vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, nuk do të ketë më nevojë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të qëndrojnë atje.

Por, sipas tij, ato do të jenë “të gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen”.

“Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, shkroi Kurti në Facebook.

Më 30 shtator, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Kjo marrëveshje parasheh tërheqjen e njësiteve speciale policore, të vendosura në vendkalimet e përbashkëta kufitare: Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe tërheqjen e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë, nisur nga 2 tetori.

Po ashtu me marrëveshje, pjesëtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it do të vendosen për dy javë në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa nga 4 tetori do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse mbi targat e makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi.

Serbët lokalë kanë bllokuar Jarinjën dhe Bërnjakun qysh më 20 shtator, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur masa reciprociteti mbi targat e automjeteve të Serbisë.

Me vendimin e Qeverisë, të datës 20 shtator, të gjitha automjetet nga Serbia që kanë hyrë në Kosovë, është dashur të pajisen me targa të përkohshme.

Në vendkalimet kufitare është vendosur edhe njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Përfaqësuesit e Serbisë e kanë akuzuar Kosovën për shkeljen e dispozitave të Marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë.

Përfaqësuesit e Kosovës kanë thënë se po veprojnë në përputhje me Marrëveshjen.

Masa të ngjashme ndaj makinave me targa të Kosovës, Serbia ka zbatuar tash e sa vite.

XS
SM
MD
LG