Ndërlidhjet

Zgjedhjet e parakohshme, jo përmes bllokimit të Kuvendit


Pamje nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 2020 në Maqedoninë e Veriut - Fotografi ilustruese.
Pamje nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 2020 në Maqedoninë e Veriut - Fotografi ilustruese.

Kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare janë legjitime, por një synim i tillë nuk mund të arrihet përmes bllokimit të punës së Kuvendit, i cili është vendi ku duhet të diskutohet për të gjitha kërkesat dhe pakënaqësitë. Kështu thotë Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike duke komentuar paralajmërimin e opozitës maqedonase për bllokimin e punës së Kuvendit, në rast se nuk pranohet kërkesa për zgjedhje të parakohshme.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se Qeveria është jolegjitime. Sipas tij, kjo Qeveri është e paaftë të përballet me sfidat nëpër të cilat po kalon Maqedonia e Veriut, si pasojë e krizës ekonomike të shkaktuar pas agresionit rus në Ukrainë, por edhe problemeve tjera, që sipas Mickoskit, janë pasojë e menaxhimit të keq nga ana e Qeverisë që drejtohet nga socialdemokrati Dimitar Kovaçevski.

“Mendoj se Kuvendi është vendi ku duhet të diskutohet për problemet politike. Tani nëse ju nuk i keni numrat, kjo është problematike. Megjithatë, Kuvendi është vendi ku duhet të punohet dhe jo të bllokohet. Nxitja për mbajtje të zgjedhjeve të reja mund të bëhet përmes formave të tjera të presionit politik. Por, gjithashtu, ne kemi parë në të kaluarën se kjo, VMRO-ja, që bllokonte, ka bërë disa veprime prej të cilave nuk është distancuar, e që e kanë dëmtuar demokracinë dhe nga të cilat LSDM-ja ka përfituar politikisht”, thotë Sinani.

Sipas tij, Qeveria aktuale ka dështuar në qeverisjen e mirë të vendit, por as qeveria dhe as opozita nuk duhet t’i shfrytëzojnë zhvillimet rajonale dhe më gjerë për të përfituar politikisht.

“Shfrytëzimi i momenteve politike globale për një politikë meskine këtu është i papranueshëm. Maqedonia e Veriut ka probleme me demokracinë dhe sistemin politik, dhe ky vend nuk mund të stabilizohet me mënyrën se si qeveriset, për shkak se pjesa më e madhe e partive politike nuk kanë synime për të drejtuar vendin, por për ta kontrolluar. Kjo në masë të madhe e dëmton demokracinë”, thotë Sinani.

Ai thotë se këto dy blloqe politike janë në skenë mbi 20 vjet dhe nuk kanë se çfarë të ofrojnë më tepër, andaj edhe ai thekson nevojën e paraqitjes së një klase të re politike që mund të sjellë ndryshimin në këtë vend.

Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike, nuk e përjashton mundësinë që bllokimi i punës së Kuvendit të rrisë edhe gjasat për zgjedhje të parakohshme, meqë, sipas tij, edhe hulumtimet e fundit që janë bërë, flasin mbi rritjen e pakënaqësisë së qytetarëve, që mund të jetë, siç thotë ai, një nxitje shtesë për zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhje logjike për një numër të madh të votuesve nëse kemi një bllokim të plotë të sistemit. Një bllokim i tillë mund, gjithashtu, të krijojë një ambient për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, thekson Arsovski.

Ai thotë se nuk e shqetëson retorika e opozitës, pasi, sipas tij, është një narrativë e rregullt e saj se asgjë nuk funksionon dhe se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme.

Por, sipas tij, partitë, në situatën e krijuar për shkak të zhvillimeve globale, do të ishte më e logjikshme të punojnë për një strategji tjetër e jo për zgjedhje të reja.

“Ndoshta tani është koha që të bisedohet për interesa më të larta kombëtare e shtetërore, për miratimin e një deklarate për postulatet e një politike thelbësore, mbase edhe për një qeveri të gjerë për të vazhduar me reformat, me zhvillimin e vendit e mbi të gjitha, për afrimin e tij drejt BE-së, e kështu me radhë”, thotë Arsovski.

VMRO DPMNE-ja i ka dhënë pesë ditë afat kryeministrit Dimitar Kovaçevski të pranojë një takim të liderëve për të biseduar për datën e zgjedhjeve të parakohshme, por kreu i Qeverisë ka hedhur poshtë kërkesën duke e cilësuar si shantazh.

Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e pranon kërkesën për zgjedhje, ndërsa partitë shqiptare të opozitës kërkojnë zgjedhje, por nuk e pranojnë kërkesën e opozitës maqedonase për bllokimin e punës së Kuvendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG