Ndërlidhjet

Kushtetuta s’ka zgjidhje për krizën në Kuvend


Kuvendi i Kosovës, 24 gusht
Kuvendi i Kosovës, 24 gusht

Kriza politike, e cila është produkt i mospërfundimit të procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, nuk ka ndonjë zgjidhje kushtetuese, vlerësojnë njohësit e të drejtës kushtetuese dhe të zhvillimeve politike në vend.

Deri më tash, pas gjashtë vazhdimeve të seancës konstituive të Kuvendit, deputetët ende nuk kanë arritur të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët, me çka do të rrumbullakohej procesi i konstituimit të legjislativit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, i gushtit të vitit 2014, i jep të drejtën subjektit politik apo koalicionit parazgjedhore , i cili merr numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, që ta propozojë kryetarin e Kuvendit. Në rastin e tanishëm, propozimin duhet ta bëj koalicioni PAN, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën. Por deri më tash koalicioni PAN nuk ka propozuar një kandidat për kryetar të Kuvendit.

Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës Kushtetuese, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegon se në këtë rast nuk ekziston një zgjidhje kushtetuese, e cila parasheh afate kohore për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Është mangësi serioze e Kushtetutës që nuk e ka paraparë një situatë të tillë, për arsye se kushtetutëbërësi ka menduar se nuk do të vijë deri te situatat e tilla, ngërçet e tilla, mosshfrytëzimi i autorizimeve të tilla. Kjo për arsyen se vet posti i kryetarit të Kuvendit nuk është ndonjë post i rëndësishëm dhe vendimmarrës, në kuptimin e ekzekutivit. Ai konsiderohet si një post koordinues i operacioneve më tepër teknike dhe operative, bashkë me kryesinë dhe nënkryetarët e Kuvendit”.

Megjithatë, profesor Baraliu thekson se një zgjedhje të mundshme duhet ta kërkojë presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Sipas tij, Kushtetuta e Kosovës i jep atij kompetencën dhe obligimin që të kujdeset për funksionimin kushtetues të institucioneve të vendit.

Unë mendoj që është koha e fundit që Presidenca të mos jetë pasive, por që sa më parë - në këtë vakuum tashmë të krijuar, sepse nuk është caktuar ende ndonjë datë tjetër e vazhdimit të seancës nga kryesuesi - t’i ftojë partitë politike dhe të reflektojnë, të merren vesh për ndonjë solucion. Eventualisht, nëse nuk merren vesh për asgjë, atëherë të merren vesh që të shkojnë bashkërisht në shpërbërje të parlamentit”, tha Baraliu. Ai shton se kjo do ta çonte vendin në zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare.

Por, Arben Qirezi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se ngërçit politik, megjithatë duhet t’i gjendet një zgjidhje politike.

Po konsideroj që nuk do të thotë që çdo procesi politik t’i vihet përballë një zgjidhje kushtetuese. Ky ngërç politik mund të zgjidhet edhe përmes zgjidhjeve politike. Nuk është e domosdoshme që të ketë vetëm zgjidhje kushtetuese”.

Analisti Qirezi shpreh mendimin që tashmë kanë ngelur tri rrugë për zgjidhje të ngërçitpolitik. Zgjidhja e parë, sipas tij, është arritja e një konsensusi të subjekteve politike parlamentare.

Pra, të fillohet me një konsensus që të ketë formim të institucioneve, përkatësisht, që të mos ketë zgjedhje të parakohshme. E dyta është që Presidenti i vendit mund të thërras qoftë takim konsultativ, qoftë të kërkojë nga grupi politik PAN, së pari, por edhe nga grupet e tjera politike që t’i bëjnë propozimet e personaliteteve për funksionet përkatëse, për shkak të të cilave është duke u bllokuar situata. Zgjidhja e fundit është që nëse kalohet çdo kohë e arsyeshme, brenda të cilës nuk ka zgjedhje të institucioneve, të cilat pritet të zgjidhen, atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, tha Qirezi.

Ngërçi politik në Kosovë ka nisur që nga mbledhja konstituive e Kuvendit, e cila ka nisur më 3 gusht. Deri më tash, ajo është vazhduar gjashtë herë, por nuk është arritur zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, ndërkaq ende nuk është precizuar ndonjë datë se kur do të vazhdojë seanca konstituive e legjislativit.

XS
SM
MD
LG