Ndërlidhjet

Në kërkim të ndërhyrjes së Presidentit


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Përveç një takimi këshillues që është caktuar për të mërkurën dhe caktimit të datës për vazhdimin e seancës më 10 gusht, nuk është parë ndonjë iniciativë tjetër nga askush, për të gjetur zgjidhje për zhbllokimin e krijimit të institucioneve.

Deri sa vazhdojnë mosmarrëveshjet mes partive politike, që nuk bien dakord të zgjedhin kryetarin e ri të organit ligjvënës, analistët politikë mendojnë se Presidenti i vendit është ai i cili duhet të marrë nismën për gjetjen e një zgjidhjeje.

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se pozicionimi dhe qëndrimet e partive politike rreth gjendjes së tanishme, nuk japin shpresa se mund të arrihet një konsensus politik për tejkalimin e situatës.

Ai mendon se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të thërras drejtuesit e partive politike dhe të mos humbet kohë.

"Në kushte normal do të duhej të ishte Presidenti sepse edhe me Kushtetutë ai e ka detyrën e sigurimit të mbarëvajtjes së shtetit kur kemi kriza të tilla. Po duke pas parasysh që zoti Thaçi vjen nga subjekt politik partiak, në këtë rast PDK-ja, kam dyshimin që partitë tjera të cilat e kundërshtojnë PDK-në nuk e kanë besimin të zoti Thaçi, i cili do të mund të luajë një rol neutral në këtë rast për tejkalim nga kriza", tha Ibrahimi.

Megjithatë, ai thotë se partitë politike duhet ta dinë se në sistemin parlamentar dhe zgjedhor të cilin e ka Kosova, pa një kompromis nuk mund të shkohet përpara, marrë parasysh rezultatin e zgjedhjeve.

Ibrahimi ndërkaq shprehet se në rast se nuk do të ketë zgjidhje të problemeve, mund të ketë edhe ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar.

"Duke u nisur nga kjo, mbetet që faktori ndërkombëtar të mund të luajë një rol, mirëpo kemi parë që edhe faktori ndërkombëtar në katër pesë vitet e fundit nuk ka pasur apetit për tu kyçur në situata të tilla. Pra, u mbetet fatkeqësisht, në fund të fundit, partive politike që të mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të tejkalohet kjo. Apo ndoshta të shkohet edhe në zgjedhje, por prapë nuk mendoj se zgjedhjet do të sjellin një rezultat që do të lehtësonte formimin e institucioneve. Pra, është një situatë ku pa u arritur një lloj kompromisi mes partive politike nuk shoh se si mund të dilet nga kjo gjendje", tha Ibrahimi.

Analisti tjetër politik, Shkëlzen Maliqi, thotë se nga ajo që shihet në Kuvendin e Kosovës, bllokues të proceseve janë të gjitha partitë politike, derisa vendosin kushte dhe nuk lëshojnë pe.

Maliqi tha për Radion Evropa e Lirë, se meqenëse ka vonesa e bllokime në formimin e institucioneve të reja, duhet të ketë dialog ndërmjet partive politike.

Edhe ai mendon se për të mos hyrë në një krizë të thellë politike, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet t’i ftojë partitë politike për të biseduar.

"Iniciativën duhet ta marrë ndoshta Presidenti, që të zhvillojë konsultime dhe ta përshpejtojë procesin, sepse nuk ka më kuptim të vonohen ose të kushtëzohen këto dy procese [konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë]", vlerëson Maliqi.

Derisa e përjashton mundësinë e zgjedhjeve si një opsion për të dalë nga kjo gjendje, analisti Maliqi thotë se tani edhe mund të ndodhë që koalicionet parazgjedhore të mos jenë ashtu siç kanë qenë deri më tash.

"Është edhe një mundësi tjetër që të shpartallohen këto konfiguracionet parazgjedhore, të kemi një lëvizje të lirë që disa subjekte të ndahen prej koalicioneve paraprake dhe të negociojnë ndërmjet vete, ndoshta mundet që ndonjë konfiguracion tjetër të japë ose ta bëjë Qeverinë", konsideron Maliqi.

Brenda pak vitesh në Kosovë janë duke u përsëritur krizat të ngjashme politike dhe vonesa rreth krijimit të institucioneve të reja pas mbajtjes se zgjedhjeve.

Analistët thonë se kjo tregon që Kosova si shtet ende nuk po mund të dëshmojë se mund të bëj veprime të rëndësishme për vete.

Edhe qytetarët mendojnë se për të dalë nga kjo situatë duhet të ketë marrëveshje ndërmjet vet partive politike që kanë fituar të drejtën për të qene pjesë e Kuvendi të Kosovës.

Qazim Imer nga Prishtina, i cila ka punuar në Fakultetin e Bujqësisë, mendon se duhet të gjendet një zgjidhje për të dalë nga kriza rreth krijimit të institucioneve të reja.

"Më e mira është që forcat politike të merren vesh, mirëpo ne shqiptarët të tillë jemi, nuk lëshojmë pe. Mendoj se përsëri do të ulen do të bisedojnë dhe do të gjejnë ndonjë zgjidhje se çdo hap tjetër na çon kah e keqja. Nëse nuk lëshon pe askush, duhet të shkohet në zgjedhje të lira. Edhe Presidenti është i përfshirë në këto gjëra, qoftë direkt ose indirekt. Ka elemente që është involvuar direkt", tha Imeri.

Kurse, Besa Hoxha thotë se një zgjidhje shumë e mirë do të ishte ndryshimi i udhëheqësve politikë në vend.

"Një zgjidhje është që të gjithë komplet këta të japin dorëheqje dhe të vijë një strukturë tjetër. Kurse, Presidenti është fajtori kryesor", tha shkurt Hoxha.

Pas pothuajse dy muajsh që prej mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, Kuvendi më 3 gusht nisi seancën konstituive. Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN është shtyrë konstituimi i Kuvendit, pasi në seance nuk janë paraqitur deputetët e këtij koalicioni.

XS
SM
MD
LG