Ndërlidhjet

Mbi 30 deputetë shqiptarë në Kuvendin e ri të Maqedonisë së Veriut


Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, foto nga arkivi.

Në bazë të rezultateve të Komisionit Shtetërore të Zgjedhjeve, zgjedhjet e 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut, kanë prodhuar më shumë se 30 deputetë shqiptarë.

Sipas rezultateve të KSHZ-së, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 15 deputetë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 deputetë, Lëvizja Besa e cila është në koalicion me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë katër deputetë, Partia Demokratike Shqiptare një deputet dhe një deputet shqiptar, ka siguruar ulëse në kuvend, duke garuar si socialdemokrat.

Në zgjedhjet e kaluar, shqiptarët u përfaqësuan me 22 deputetë, kudhjetë deputetë ishin nga BDI-ja, pesë nga Lëvizja Besa, tre deputetë të Aleancës për shqiptarët, dy deputetë të Partisë Demokratike Shqiptare si dhe dy deputetë të tjerë shqiptarë ishin zgjedhur si pjesë e listës së Lidhjes Social Demokratike.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ka realizuar bisedë telefonike me liderët e partive politike shqiptare, për siç ka thënë ai “për ta vlerësuar bashkërisht rezultatin zgjedhor dhe për të këmbyer mendime” duke përfunduar se “bashkë jemi më të fortë”.

Ali Ahmeti partia e të cilit ka dalë fituese në këto zgjedhje në kampin e shqiptarëve, ka theksuar se kush vendimtar për të hyrë në koalicionin e ri qeverisës, do të jetë që qeveria e re të drejtohet nga një kryeministër shqiptar.

Liderët e partive politike maqedonase, të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë Zoran Zaev dhe VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski kanë theksuar se nuk do të pranojnë të bëjnë koalicion mbi bazë të “parimit të shantazheve”, për sa i përket kryeministrit shqiptar.

Porm njohësit e çështjeve politike thonë se rritja e numrit të deputetë shqiptarë më shumë se kurrë më parë, mundëson zgjidhjen e kërkesave të shqiptarëve, definimin e shqiptarëve si popull shtetformues, gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare dhe jo si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullatës, shpërndarjen e barbarët të buxhetit, përfaqësimin adekuat në të gjitha institucionet e shtetit, veçanërisht në pozitat udhëheqëse, etj. Por, ata druajnë se partitë politikë edhe në këtë rast do të kalkulojnë me interesat partiake dhe kauzën shqiptare do ta lënë në plan të dytë.

Shpëtim Pollozhani për Radion Evropa e Lirë thotë se subjektet politike duhet të lënë anash interesat partiake, dhe me këtë forcë që ua dhanë votuesit shqiptarë, të imponojnë ndryshimin e Kushtetutës që kërkesat e shqiptarëve mos të zgjidhen në formë parciale, por shqiptarët të jenë pjesë përbërëse e vendimmarrjes.

“Duhet vënë kusht se po nuk u ndryshua Kushtetuta, ku Maqedonia e Veriut nuk do të definohet si shtet vetëm i maqedonaseve dhe i të tjerëve, po qartë Maqedonia e Veriut të definohet si shtet i maqedonasve, shqiptarëve dhe i të tjerëve. Derisa ne kemi një Kushtetutë unitare, kurse bartës i sovranitetit është vetëm një popull, do të thotë janë vetëm maqedonasit, nuk ka dobi jo nga 30 po as edhe 50 deputetë”, thotë Pollozhani.

“Tani është momenti për të insistuar në ndryshimin e Kushtetutës nga një shtet unitar në një shtet shumetnik. Ky duhet të jetë veprimi i parë që duhet bërë. Çdo gjë që do të jetë jashtë këtij veprimi do t’i vijë era karrierizëm, era egoizëm, dhe era e realizmit të interesave personale”, thekson Pollozhani.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri thotë për Radion Evropa e Lirë se do të jetë shumë e vështirë që partitë politike të bashkëveprojnë rreth boshtit të imponimit të realizmit të kërkesave shqiptare duke realizuar kështu, siç thotë ai, kauzën shqiptare.

“Nuk pres që kësaj radhe të bashkohen shqiptarët rreth një platforme siç ishte rasti gjatë 2016-tës. U pa që ai bashkim nuk funksionon. Megjithatë mendoj se është mirë që më në fund të kemi një përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve etnikë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, si në aspektin numerik, por edhe ai kualitativ, për të pasur një përbërje e cila me të vërtetë do të përfaqësojë qytetarin shqiptar në parlament kështu që do të kthejë në njëfarë forme besimin e humbur në demokracinë te një pjesë e madhe e shqiptarëve këtu”, thotë Neziri.

Ai thotë se rritja e numrit të deputetëve shqiptarë është dhe si rezultat i fushatës pozitiveqë është realizuar në kampin politik shqiptar. Sipas tij, kjo ka motivuar votuesit të dalin në zgjedhjet e 15 korrikut.

Ekspertët thonë se shqiptarët kësaj radhe arritën të sigurojnë numër më të madh të ulëseve në parlament, pasi nga 15 parti që morën pjesë në zgjedhje, garuan në tri lista, dhe Lëvizja Besa që kandidoi në koalicion parazgjedhor me LSDM-në. Ndërkaq, në zgjedhjet paraprake, të vitit 2016, në zgjedhje morën pjesë pesë parti shqiptare.

XS
SM
MD
LG