Kadrijaj dhe Haxhiu përplasen për çështjen e “diskutimit për presidentin”
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, tha se Lëvizja Vetëvendosje ka shpikur një praktikë të re parlamentare, duke vendosur në pikë të rendit të ditës, diskutimin për presidentin. Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit tha se është pikërisht Kuvendi ku duhet të diskutohen këto çështje.
“Jo kryetare, nuk diskutohet në Parlament për presidentin. Në Parlament sillen emra të cilët ju i keni dakorduar dhe aty votohet. Por, që të diskutohet, e keni shpikur ju. Është praktikë e re”, i tha ajo kryeparlamentares Albulena Haxhiu, gjatë seancës së rregullt plenare.
Haxhiu iu kundërpërgjigj duke thënë se shpreson që deri në seancë të ketë edhe emra për president.
“Lejoni deputetëve të ushtrojnë mandatin e tyre. Dëshirojnë që të flasin për presidentin", tha Haxhiu, duke theksuar se është e rëndësishme “që të jeni të pranishëm në seancën e orës 17:00. Deri atëherë, duke shpresuar që kemi emra, kandidatë konsensualë për president”, tha ajo.
Seanca e re për presidentin
Në ueb-faqen e Kuvendit të Kosovës u paralajmërua seanca e re për presidentin, që do të nisë në orën 17:00.
“Diskutim lidhur me zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës”, është pika e vetme e rendit të ditës të seancës së jashtëzakonshme.
Ky formulim dallon nga njoftimi për seancën e 5 marsit për presidentin – që u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit – ku ishte shkruar “zgjedhja e presidentit” si pikë e vetme të rendit të ditës.
Përshëndetje të nderuar lexues,
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në orën 17:00 për çështjen e presidentit të ri.
Ata kanë vetëm edhe një ditë afat për të zgjedhur pasardhësin e Vjosa Osmanit, në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Radio Evropa e Lirë do të përcjellë në kohë reale zhvillimet e sotme në Kuvendin e Kosovës.
Qëndroni me ne!