Çfarë ndodhi gjatë seancës për zgjedhjen e presidentit?
Lexues të nderuar, këtu po e përmbyllim mbulimin e drejtpërdrejt të zhvillimeve në Kuvendin e Kosovës.
Më poshtë mund të lexoni, të përmbledhur, atë që ndodhi në dy seancat e jashtëzakonshme të mbajtura të hënën për çështjen e presidentit.
Pa praninë e partive opozitare, Lëvizja Vetëvendosje hodhi në votim dy kandidaturat e saj të reja për presidente të Kosovës Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën, gjatë seancës që nisi pas orës 21:00.
Kjo seancë u thirr më pak se një orë pasi përfundoi seanca për diskutimet për presidentin, e cila po ashtu u bojkotua nga opozita.
Dy emrat e rinj për presidente u hodhën në votim. Në rundin e parë, të votimit të fshehtë, Rushiti mori 63 vota dhe një ishte e pavlefshme, dhe Hoxha asnjë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi më pas se seanca do të vazhdojë të martën, në orën 10:00.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha ajo që ndodhi sonte është “puç kushtetues”, duke theksuar se rundi i parë nuk është konsumuar pasi nuk ka pasur kuorum.
Ndërkaq, për kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, LVV-ja inicioi “përmbysjen e rendit kushtetues” të Kosovës.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha e Haxhiu dhe deputetët e LVV-së sonte “në mënyrë të hapur janë duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës”.
Ai i tha Radios Evropa e Lirë se Kushtetuta, por edhe aktgjykimet e fundit janë shumë të qarta se sa deputetë duhet të marrin pjesë në votim.
“Në sallë duhen 80 deputetë për t’u konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit. Në rastin kur mungon kjo shumicë, dëshmohen qëllimet jo të mira të partisë në pushtet”, tha ai.
Miftaraj po ashtu tha se mënyra si ka filluar kjo procedurë, duke u tërhequr dy kandidaturat e mëparshme dhe, me këtë, edhe nënshkrimet e protokolluara, ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Shmangia e një konsensusi minimal dhe përdorimi i procedurave duke shkelur Kushtetutën dhe praktikën e GJK-së cenon rendin kushtetues”, tha ai.
Në seancën paraprake, atë kur u debatua për çështjen e presidentit, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku nga LVV-ja tërhoqën kandidaturat për president.
Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Faleminderit që na ndoqët!
Abdixhiku: LVV inicioi përmbysjen e rendit kushtetues dhe demokratik të Kosovës
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se LVV-ja në seancën e sotme “inicioi përmbysjen e rendit kushtetues dhe demokratik të Kosovës. Një rast i paprecedent, jodemokratik, antikushtetues”.
“Ky sabotim i Kushtetutës ka përgjegjësi të lartë dhe atë do ta mbajnë atë që tentuan dhe iniciuan përmbysjen e rendit kushtetues”, tha ai për mediat në hollin e Kuvendit.
Ai tha se dënon nisjen e votimit pa u përmbushur kuorumi minimal, teksa bëri thirrje për një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit.
Ai tha se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, sepse “një parti demokratike nuk e kupton kompromisin”.
I pyetur nëse do ta dërgojnë çështjen në Kushtetuese, Abdixhiku tha se shpreson që rundi i parë i votimit nuk është konsumuar.
Ai tha se LDK-ja i ka 15 nënshkrime për kandidatin e propozuar për president, por nuk specifikoi nëse nënshkrimet janë për ish-presidenten Vjosa Osmani, teksa tregoi para mediave listën e nënshkrimeve.
Hamza: Ky është puç kushtetues
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se ajo që ndodhi sonte ishte shkelje kushtetuese, duke e cilësuar si “puç kushtetues”.
“Kjo çka ka ndodh sonte, është shkelje e Kushtetutës. Ka hyrë në votim çështja e presidentit në mënyrë kundërkushtetuese. Kjo praktikë duhet të ndërpritet”, tha ai në hollin e Kuvendit.
Hamza shtoi se Kushtetuta është e qartë, duhet të jenë 80 deputetë në sallë në rundin e parë dhe njëjtë kërkohet në rundin e dytë, në të cilin, sipas tij, nuk mund të kalohet pa u konsumuar rundi i parë.
“Ne besojmë që nuk janë plotësuar kushtet për të kaluar në rundin e dytë”, tha ai.
Cakolli: Votimi për president pa u përmbushur kuorumi, cenim i rendit kushtetues
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik të Kosovës tha se në seancën e sotme ka pasur shkelje kushtetuese, pasi sipas tij, rundi i parë i votimit për dy kandidatet për president u zhvillua pa u verifikuar paraprakisht pjesëmarrja e deputetëve në seancën plenare.
Një verifikim i tillë, kujtoi ai, ishte bërë gjatë seancës së 5 marsit, ku për shkak të mungesës së kuorumit emrat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut – të propozuarit nga LVV-ja – nuk u hodhln fare në votim.
“Çdo përpjekje nesër për të vazhduar me runde të tjera pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues”, shkroi ai në Facebook.