Peci: Ky është grusht kushtetues
Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, tha se votimi për presidentin, pa praninë e partive opozitare është “grusht kushtetues”.
“Krejt çfarë po ndodh sonte në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka emër dhe mbiemër: Grusht kushtetues”, shkroi ai në Facebook.
LVV-ja hodhi në votim emrat e dy kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Megjithatë, votimin dhe punimet e seancës i bojkotuan partitë opozitare.
Seanca do të vazhdojë të martën.
Votat që mori Rushiti
Miftaraj: Kryetarja e Kuvendit dhe LVV-ja po e shkelin Kushtetutën
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe deputetët e LVV-së sonte “në mënyrë të hapur janë duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës”.
Miftaraj, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kushtetuta dhe praktika e gjyqësisë kushtetuese, përfshirë aktgjykimin e fundit, janë shumë të qarta.
“Në sallë duhen 80 deputetë për t’u konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit. Në rastin kur mungon kjo shumicë, dëshmohen qëllimet jo të mira të partisë në pushtet”.
Sipas Miftarajt, fillimi i procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës, duke shkelur Kushtetutën dhe vendimet e GJK-së, pa konsensus dhe debat politik minimal dhe vetëm me votat e shumicës parlamentare nga partia në pushtet, cenon frymën e Kushtetutës, e cila kërkon legjitimitet të gjerë për këtë funksion.
“Qëllimi kushtetues është që presidenti të mos jetë produkt i një partie të vetme politike, por rezultat i një përfaqësimi gjithëpërfshirës si garant i unitetit të popullit”, tha ai.
Miftaraj po ashtu tha se mënyra si ka filluar kjo procedurë, duke u tërhequr dy kandidaturat e mëparshme dhe, me këtë, edhe nënshkrimet e protokolluara, ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Shmangia e një konsensusi minimal dhe përdorimi i procedurave duke shkelur Kushtetutën dhe praktikën e GJK-së cenon rendin kushtetues”, tha ai.
Haxhiu thotë se seanca do të vazhdojë nesër
Pasi përfundoi rundi i parë i votimit për presidentin - pa praninë e partive opozitare - kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se seanca do të vazhdojë të martën, në orën 10:00.
Në rundin e parë Feride Rushiti mori 63 vota ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.