Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 27 prill 2026. (Foto: Arben Hoti/REL)
Kuvendi i Kosovës, 27 prill 2026. (Foto: Arben Hoti/REL)

Pa praninë e opozitës, Kuvendi voton për presidentin - seanca vazhdon të martën

E përditësuar
  • Kuvendi i Kosovës nisi natën e së hënës seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Në seancë munguan deputetë të opozitës, të cilët bojkotuan edhe një seancë të mëhershme diskutimi për çështjen.
  • Partia e kryeministrit Albin Kurti propozoi dy kandidate të reja për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
  • Në rundin e parë, Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.
  • Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të rundit të parë të votimit, tha se seanca do të vazhdojë të martën.
  • Deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
22:05 27.4.2026

Votimi në rundin e parë: Feride Rushiti merr 63 vota

Në Kuvendin e Kosovës u mbajt rundi i parë i votimit për president, ndonëse në sallë nuk janë të pranishëm dy të tretat e deputetëve.

Në mesin e dy kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti mori 63 vota ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.

Në sallë të pranishëm janë 64 deputetë ndërsa opozita e ka bojkotuar seancën.

Numërimi i votave.
Numërimi i votave.
21:59 27.4.2026

Çfarë thuhet për zgjedhjen e presidentit në aktgjykimin për rastin Pacolli?  

Teksa votimi në Kuvend për presidentin e ri po vazhdon, ne po risjellim në vëmendje një aktgjykim për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, të publikuar më 2011 nga Gjykata Kushtetuese.

Më 22 shkurt 2011, Behgjet Pacolli ishte zgjedhur president i Kosovës në rundin e tretë të votimit me 62 vota, në një seancë të bojkotuar nga një pjesë e opozitës. Në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë.

Rasti ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 30 mars 2011, interpretoi nenin 86 të Kushtetutës duke theksuar se formulimi “dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve” nënkupton pjesëmarrjen në votim të të gjithë 120 deputetëve, përveç atyre me leje mungese.

Sipas Gjykatës, vetëm pasi të provohet se nuk sigurohen 80 vota në dy rundet e para, mund të kalohet në rundin e tretë.

Duke qenë se në rastin e Pacollit në votim kishin marrë pjesë vetëm 67 deputetë, Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se ky kusht nuk ishte përmbushur dhe se procedura e zgjedhjes së presidentit kishte shkelur Kushtetutën.

Votimi për presidentin e ri në Kuvendin e Kosovës më 27 prill 2026.
Votimi për presidentin e ri në Kuvendin e Kosovës më 27 prill 2026.
21:53 27.4.2026

Zemaj: Ky është puç kushtetues

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka cilësuar si “puç kushtetues” votimin në Kuvend për presidentin e ri, pa praninë e deputetëve të opozitës.

Ai ka publikuar një pjesë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për Behxhet Pacollin, që gjeti se Pacolli u zgjodh në mënyrë të kundërligjshme president, pasi për të nuk kishin marrë pjesë në votim dy e treta e deputetëve, apo 80.

21:39 27.4.2026

Behrami i PDK-së: LVV po tenton të prodhojë artificialisht fajtorë të paqenë

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se LVV-ja po tenton që të prodhojë “artificialisht fajtorë të paqenë” për një proces, që sipas tij, vetë Qeveria është përgjegjëse.

“Paramendo, i ka pasur 75 ditë që nga seanca e parë konstituive për të gjetur konsensus për një emër të presidentit”, shkroi ai në Facebook.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG