Nagavci pret nga LDK nënshkrimet për presidentin
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, në fund të seancës së rregullt plenare, teksa po fliste për bordin e AKP-së, iu drejtua deputetëve të LDK-së, duke u thënë se po i pret nënshkrimet e tyre për një kandidat për president.
“E votojmë bordin [e AKP-së], vazhdojmë tutje sepse kemi ftuar edhe një seancë në orën 17:00, e kemi tema të rëndësishme besoj për të diskutuar, siç është tema për zgjedhjen e presidentin sepse po na presin të gjithë dhe unë po pres nënshkrimet tuaja”, tha Nagavci duke drejtuar dorën në anën ku janë të ulur 15 deputetët e LDK-së.
LDK ka thënë më herët se mund ta propozojë ish-presidenten Vjosa Osmani edhe për një mandat pesëvjeçar, por ka kërkuar që LVV-ja t’ia sigurojë 66 vota.
Nuk dihet nëse LVV-ja do ta pranojë këtë kërkesë të LDK-së.
Kujt i konvenojnë zgjedhjet?
Teksa deputetët pritet sot të diskutojnë për çështjen e presidentit, dhe një marrëveshje mes partive për këtë temë ende nuk duket se është arritur, ne ju risjellim një artikull të publikuar ditë më parë lidhur me atë se kujt i konvenojnë zgjedhjet e mundshme të reja.
Votimet e reja do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditësh, nëse deputetët deri më 28 prill nuk arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit.
“Mendoj se zgjedhjet më së paku i konvenojnë Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos pas çarjes që ka pësuar kjo parti në raport me tashmë ish-presidenten Osmani”, tha analisti Rrahman Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Për njohësin tjetër të çështjeve politike, Agon Maliqi, është e vështirë të përcaktohet se kujt i konvenojnë zgjedhjet aktualisht
“Ndoshta opozita është në një pozitë më të mirë. Pozitat e saj në Kuvend mund të favorizohen më shumë [pas zgjedhjeve eventuale]”, tha Maliqi për REL-in.
Artikulli i plotë:
PDK hesht për seancën për presidentin
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ende nuk ka bërë të ditur se a do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku do të diskutohet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, si dhe deputetëve të këtij grupi: Përparim Gruda, Blerta Deliu-Kodra dhe Xhavit Haliti, për të kuptuar vendimin e kësaj partie lidhur me pjesëmarrjen ose jo të deputetëve të saj në këtë seancë, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.
Subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, veçse ka bërë të ditur se do të bojkotojë seancën e jashtëzakonshme, që është caktuar të nisë në orën 17:00.