Konjufca dhe Kollçaku tërhiqen nga kandidatura për president
Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër aktual dhe i propozuar aktual për president është tërhequr zyrtarisht nga kandidatura.
Tërheqjen e bëri publike edhe deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, kandidatja e dytë e propozuar për presidente nga LVV-ja.
Pas tërheqjes së dy kandidaturave, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e mbylli seancën e jashtëzakonshme.
Konjufca akuzon opozitën se përmes presidentit dëshiron ta rrëzojë Qeverinë
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, akuzoi partitë opozitare se përmes pamundësimit të kuorumit për presidentin, po dëshiron që ta rrëzojë Qeverinë Kurti 3, të formuar katër muaj më parë.
Megjithatë, ai tha se sot, ose sipas disa interpretimeve “edhe nesër” deputetët kanë afat që të zgjedhin presidentin.
“Kjo Qeveri po dëshirojnë të rrëzohet përmes presidentit”, tha Konjufca.
Konjufca zyrtarisht që nga 5 marsi është kandidat i LVV-së për president, së bashku me deputeten tjetër të kësaj partie, Fatmire Kollçaku.
Ai disa herë ka përsëritur në të kaluarën se tërhiqet nëse opozita propozon kandidatë unifikues për kreun e shtetit.
Rashiti kërkon që partitë të veprojnë shpejt për zgjedhjen e presidentit
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, tha se nëse oferta e LVV-së për partitë opozitare është serioze, ato duhet që sonte të propozojnë emra “me urgjencë”.
“Takimet e liderëve të katër subjekteve parlamentare duhet të ndodhin në një tavolinë. Jo ndaras. Negociatat deri nesër dhe zgjedhja e presidentit/es duhet të ndodhë nesër”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se LVV-ja në një rast të tillë duhet të tërheqë dy kandidaturat.
Më 25 prill, LVV-ja ka kërkuar që PDK-ja dhe LDK-ja të propozojnë tre emra për president dhe ata të jenë figura unifikuese dhe jopartiake.
PDK e ka refuzuar ofertën, teksa LDK ka thënë se mund ta propozojë ish-presidenten Vjosa Osmani, me kushtin që LVV-ja ia siguron 66 vota.
Emillija Rexhepi: Kosova po përballet me testin e pjekurisë institucionale
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, tha se Kosova ndodhet përballë një testi të pjekurisë institucionale dhe përgjegjësisë.
“Kjo nuk është koha për çfarëdo kalkulimesh, as hapësirë për partitë politike që të mbledhin pikë politike parazgjedhore”, tha Rexhepi.
“Çdo shtyrje, çdo pengesë dhe çdo tërheqje taktike e ka çmimin e vet. Këtë çmim do ta paguajnë partitë politike në zgjedhje, por mbi të gjitha do ta paguajnë qytetarët tanë, si dhe kredibiliteti ndërkombëtar i shtetit tonë në tërësi”, shtoi ajo.
Ajo shtoi se nëse sot nuk dëshmohet pjekuri politike dhe përgjegjësi institucionale, “rrezikojmë të hyjmë në një cikël të paqëndrueshmërisë së madhe”.