Kryeziu kritikon LVV-në për çështjen e presidentit
Ismet Kryeziu nga Institutit Demokratik të Kosovës e ka cilësuar si “hajgare” me qytetarët thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, kjo seancë u thirr nga LVV-ja ende pa kaluar një orë që nga seanca e jashtëzakonshme ku u debatua për presidentin.
“Një parti që, nëse për asgjë tjetër nuk shquhet për kreativitet, për një gjë e ka dëshmuar veten, kreativitet të jashtëzakonshëm për të bërë hajgare me qytetarët e Kosovës”, shkroi ai në Facebook.
Kush janë dy të propozuarat e LVV-së për presidente të Kosovës?
LVV-ja propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për postin e presidentes.
Rushiti është themeluese dhe udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila së bashku me qendrën e saj më 2025 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe nga një ligjvënës suedez.
Ajo e ka themeluar QKRM-në më 1999 me misionin për të ofruar trajtim dhe rehabilitim për viktimat e torturës në Kosovë. Kjo qendër po ashtu promovon respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë dhe të parandalimit dhe çrrënjosjen e torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit.
Më 2018, Rushiti u nderua me Çmim për Guximin e Gruas të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit.
Çmimi iu dha për të nderuar ndikimin e punës së saj në jetën e të mbijetuarve dhe për rolin e saj si udhëheqëse në botë për avokimin për të drejtat e njeriut.
Ndërkaq, Hatixhe Hoxha po ashtu është aktiviste për të drejtat e njeriut dhe në të kaluarën ka qenë ligjvënëse në Kuvendin e Kosovës.
Ajo është drejtoreshë e shoqatës AUTIZMI.
Kjo shoqatë organizon aktivitete të ndryshme që synojnë ndërgjegjësimin për autizmin, por edhe përfshirjen e personave me autizëm në shoqëri.
Deri më 2007, për dy mandate, Hatixhe Hoxha ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ndërkaq LVV-së i ishte bashkuar më 2010, parti me të cilën kishte garuar për deputete.
Ajo po ashtu ka qenë ligjëruese në Univeristetin e Prishtinës më 2002-2003, në Fakultetin e Arteve.
Nagavci: Vendi s’mund të mbahet peng nga ata që duan pushtet pa përgjegjësi
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, shkroi në Facebook se Kosova “nuk mund të mbahen peng nga ata që duan pushtet pa përgjegjësi”, duke akuzuar partitë opozitare se po bllokojnë procesin e zgjedhjes së presidetntit.
“Sot secili duhet ta zgjedhë anën e vet: me zgjidhjen apo me bllokimin; me Republikën apo me pazarin; me përgjegjësinë apo me ikjen prej saj. Kjo zgjedhje do të shihet nga qytetarët dhe do të mbetet dëshmi politike për secilin në momentin vendimtar”, shkroi ajo në Facebook disa minuta pasi u bë publike se sot deputetët do të votojnë për dy kandidatura të reja për president.
LVV thërret seancë të re për presidentin, paraqet dy kandidatura të reja
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se me kërkesë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të mbahet një seancë për zgjedhjen e presidentit që do të nisë në orën 20:30.
Ajo tha se LVV ka propozuar dy emra të rinj për president.
“Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për president: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha”, shkroi ajo në rrjetet sociale.