Nis seanca, opozita s'merr pjesë
Në Kuvendin e Kosovës ka nisur seanca e jashtëzakonshme për diskutimin për çështjen e presidentit.
Në seancë nuk janë të pranishëm deputetë të partive opozitare.
Haxhiu: Mungesa e opozitës shtyn vendin drejt një krize të panevojshme
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se mungesa e opozitës në seancën për çështjen e presidentit, prodhon pasoja: “e bllokon një procedurë kushtetuese dhe e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme”.
Ajo tha se pas seancës së 5 marsit – që u ndërpre në mungesë kuorumi – iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se Gjykata tha se për pjesëmarrjen e deputetëve në seanca vetëm se ka vendosur paraprakisht.
“Përgjigja ishte e qartë, kjo çështje është vendosur njëherë. Nuk ka hapësirë për shmangie nga ky detyrim”, tha Haxhiu.
“Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç kur kanë marrë leje paraprake”, theksoi ajo.
Ajo tha se nuk pretendon t’ua ndryshojë qëndrimin partive opozitare, por sipas saj, qytetarët presin që deputetët të marrin pjesë në procesin për zgjedhjen e presidentit.
Kurti: LDK përbuzi çdo ofertë që ia bëmë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi Lidhjen Demokratike të Kosovës për, siç tha, “përbuzje të ofertave” për marrëveshje politike.
Ai këtë e tha në fjalimin që ai po e mban në seancën e Kuvendit, të thirrur për të bërë diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit.
Në këtë seancë të bojkotuar nga opozita, Kurti tha se partitë opozitare kanë bërë bllokada të njëpasnjëshme institucionale për ta “dëmtuar fituesin e zgjedhjeve”.
“Marrëveshje politike dhe kompromisi për koalicion qeverisës është gjëja më normale... Kompromisi nuk është pazar për të rehatuar figura politike”, tha ai.
Ai shtoi se në marrëveshje politike duhet pasur parasysh dallimet në peshën elektorale, gjegjësisht votave që ka secila parti.
Më 25 prill, LVV-ja iu ofroi partive opozitare, gjegjësisht PDK-së dhe LDK-së kohë deri të dielën t’i paraqesin së bashku tre kandidatë jopartiakë për presidentin e ardhshëm të Kosovës.
Këto parti ndërkohë e kanë akuzuar LVV-në dhe Kurtin se po bëjnë propagandë dhe show edhe në thirrjen e kësaj seance për diskutim.
Kurti: LVV nuk e ka përgjegjësinë e plotë për zgjedhjen e presidentit
Në vazhdim të fjalës së tij, Kurti tha se përgjegjësia e partive për çështjen e presidentit është në bazë të numrit të votave që kanë marrë.
“Në terma të përqindjes, LVV i ka 51.1 për qind të përgjegjësisë për zgjedhjen e presidentit, por nuk e ka 100 për qind”, tha Kurti.
Ai shtoi se fakti që një parti ka më pak deputetë, nuk e përjashton nga përgjegjësia në zgjedhjen e presidentit.
Kurti tha se bazuar në peshën politike, si parti fituese, LVV-ja ka ushtruar përgjegjësinë e saj, duke i ftuar në takime krerët opozitarë e duke ofruar propozime.
“LDK dhe PDK nuk ka marrë iniciativë, ndonjë propozim, ndonjë emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen”, tha ai.
“Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale”, shtoi Kurti.