Konjufca dhe Kollçaku tërhiqen nga kandidatura për president
Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër aktual dhe i propozuar aktual për president është tërhequr zyrtarisht nga kandidatura.
Tërheqjen e bëri publike edhe deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, kandidatja e dytë e propozuar për presidente nga LVV-ja.
Pas tërheqjes së dy kandidaturave, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e mbylli seancën e jashtëzakonshme.
Nagavci: Deri në përfundim të afatit do të angazhohemi që të zgjedhim presidentin
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme, tha se partia e saj do të bëjë deri në fund përpjekje “për të shmangur zgjedhjet”.
“Deri në përfundim të afatit do të angazhohemi dhe shpresojmë që vendi të bëhet me president”, tha Nagavci duke e vlerësuar si hap drejt shmangies së zgjedhjeve tërheqjen e dy kandidaturave të LVV-së.
Çfarë ndodhi gjatë seancës së jashtëzakonshme?
Pasditen e së hënës, në sallën plenare ishin të pranishëm vetëm deputetët e shumicës parlamentare, të cilët në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga ta diskutuan për çështjen e presidentit.
Partitë opozitare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës si dhe Lista Serbe bojkotuan këtë seancë.
Në seancë, dy kandidatët e LVV-së për president, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku tërhoqën zyrtarisht kandidaturat e tyre.
Kreu i LVV-së, njëherësh kryeministri Albin Kurti, tha se përgjegjësia për zgjedhjen e presidentit është e të gjithëve, e jo vetëm e partisë së tij.
Ai tha se LDK-ja përbuzi ofertat që ai bëri.
Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu fajësoi opozitën se me mungesën e pjesëmarrjes në seancë për president, ato po e çojnë vendin në krizë “të panevojshme”.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë, Glauk Konjufca, tha se opozita po synon që përmes pamundësimit të kuorumit për president, ta rrëzojë Qeverinë.
Më 25 prill, LVV kërkoi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që të propozojnë tre emra për president. Ata u tha se duhet të jenë figura unifikuese dhe jopartiake.
PDK e ka refuzuar ofertën, ndërkaq LDK ka thënë se mund ta kandidojë ish-presidenten Vjosa Osmani, me kushtin që LVV të sigurojë 66 vota për të.
Para seancës, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se për partinë e tij është “përmbyllur” kontributi për çështjen e presidentit.
Udhëheqësi i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi thirrjen e seancës si “show propagandues i Vetëvendosjes”.
AAK-ja tha se nuk merr pjesë në seancë, duke theksuar se bisedime serioze për presidentin është dashur të mbahen tash e tre muaj.
LVV-ja tha se do të angazhohet deri në fund të afatit që vendi të ketë një president të ri dhe të shmangen zgjedhjet.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët kanë afat deri më 28 prill të zgjedhin presidentin, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje. Votimet do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditësh.
LVV thërret seancë të re për presidentin, paraqet dy kandidatura të reja
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se me kërkesë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të mbahet një seancë për zgjedhjen e presidentit që do të nisë në orën 20:30.
Ajo tha se LVV ka propozuar dy emra të rinj për president.
“Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për president: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha”, shkroi ajo në rrjetet sociale.