Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 27 prill 2026. (Foto: Arben Hoti/REL)
Kuvendi i Kosovës, 27 prill 2026. (Foto: Arben Hoti/REL)

Pa praninë e opozitës, Kuvendi voton për presidentin

  • Kuvendi i Kosovës nisi natën e së hënës seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit. Në seancë munguan deputetë të opozitës, të cilët bojkotuan edhe një seancë të mëhershme diskutimi për çështjen.
  • Partia e kryeministrit Albin Kurti propozoi dy kandidate të reja për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
  • Në rundin e parë, Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme. Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.
  • Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të rundit të parë të votimit, tha se seanca do të vazhdojë të martën.
  • Deputetët kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin kreun e ri të shtetit. Në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
22:14 27.4.2026

Miftaraj: Kryetarja e Kuvendit dhe LVV-ja po e shkelin Kushtetutën

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe deputetët e LVV-së sonte “në mënyrë të hapur janë duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës”.

Miftaraj, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kushtetuta dhe praktika e gjyqësisë kushtetuese, përfshirë aktgjykimin e fundit, janë shumë të qarta.

“Në sallë duhen 80 deputetë për t’u konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit. Në rastin kur mungon kjo shumicë, dëshmohen qëllimet jo të mira të partisë në pushtet”.

Sipas Miftarajt, fillimi i procedurës së zgjedhjes së presidentit të Republikës, duke shkelur Kushtetutën dhe vendimet e GJK-së, pa konsensus dhe debat politik minimal dhe vetëm me votat e shumicës parlamentare nga partia në pushtet, cenon frymën e Kushtetutës, e cila kërkon legjitimitet të gjerë për këtë funksion.

“Qëllimi kushtetues është që presidenti të mos jetë produkt i një partie të vetme politike, por rezultat i një përfaqësimi gjithëpërfshirës si garant i unitetit të popullit”, tha ai.

Miftaraj po ashtu tha se mënyra si ka filluar kjo procedurë, duke u tërhequr dy kandidaturat e mëparshme dhe, me këtë, edhe nënshkrimet e protokolluara, ngre dyshime për shkelje të Rregullores së Punës së Kuvendit.

“Shmangia e një konsensusi minimal dhe përdorimi i procedurave duke shkelur Kushtetutën dhe praktikën e GJK-së cenon rendin kushtetues”, tha ai.


22:34 27.4.2026

Votat që mori Rushiti

22:40 27.4.2026

Peci: Ky është grusht kushtetues

Lulzim Peci, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave, tha se votimi për presidentin, pa praninë e partive opozitare është “grusht kushtetues”.

“Krejt çfarë po ndodh sonte në Kuvendin e Republikës së Kosovës ka emër dhe mbiemër: Grusht kushtetues”, shkroi ai në Facebook.

LVV-ja hodhi në votim emrat e dy kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Megjithatë, votimin dhe punimet e seancës i bojkotuan partitë opozitare.

Seanca do të vazhdojë të martën.

22:47 27.4.2026

Cakolli: Votimi për president pa u përmbushur kuorumi, cenim i rendit kushtetues

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik të Kosovës tha se në seancën e sotme ka pasur shkelje kushtetuese, pasi sipas tij, rundi i parë i votimit për dy kandidatet për president u zhvillua pa u verifikuar paraprakisht pjesëmarrja e deputetëve në seancën plenare.

Një verifikim i tillë, kujtoi ai, ishte bërë gjatë seancës së 5 marsit, ku për shkak të mungesës së kuorumit emrat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut – të propozuarit nga LVV-ja – nuk u hodhln fare në votim.

“Çdo përpjekje nesër për të vazhduar me runde të tjera pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues”, shkroi ai në Facebook.

Eugen Cakolli. Fotografi nga arkivi.
Eugen Cakolli. Fotografi nga arkivi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG