Ndërlidhjet

Ministrat e Jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës do të takohen në Turqi


Flamuri i Ukrainës dhe ai i Rusisë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, do të takohen në Turqi, ka konfirmuar Ministria e Jashtme e Rusisë.

Ky do të jetë takimi i parë mes tyre, prej kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Lavrov do të marrë pjesë në një forum diplomatik ndërkombëtar në Antalia dhe “kontakti” i tij me Kuleban planifikohet të ndodhë atje, ka raportuar agjencia e lajmeve RIA Novosti, duke cituar zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Takimi ishte propozuar nga ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, sipas të cilit takimi do të mbahej në format trelateral, me të, Kuleban dhe Lavrovin në një tavolinë.

Deri më tani është raportuar se takimi do të ndodhë më 10 mars, derisa forumi diplomatik do të nisë më 11 mars.

Bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës kanë qenë sfiduese deri më tani, pasi ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Delegacionet e të dyja palëve kanë zhvilluar tri runde të negociatave në Bjellorusi.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.
XS
SM
MD
LG