Ndërlidhjet

LDK-së nuk i ngutet për koalicionin me Vetëvendosjen


Pano me portretet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.
Pano me portretet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.

Ndonëse në parim, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë pajtuar t’i nisin negociatat për formimin e koalicionit qeverisës, arritja e marrëveshjes duket të jetë ende mjaft larg. Kështu të paktën parashikojnë disa zyrtarë nga partitë në negociata, sidomos ata nga LDK-ja.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, konsideron se arritja e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje do të jetë e vështirë. Sipas tij, problemet e më të mëdha do të jenë në harmonizimin e programit të përbashkët për të pasur sukses në bashkëqeverisje.

Sidoqoftë, ai parashikon se negociatat e vërteta për arritjen e marrëveshjes mund të priten vetëm pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

"Besoj se nuk do të jetë e lehtë të arrihet marrëveshje me Vetëvendosjen, duke i pasur parasysh disa deklarime të vazhdueshme publike të atyre edhe gjatë fushatës, po edhe pas rezultatit preliminar, ata po e ndjejnë vetën si fitues të mëdhenj", tha Veliu.

Ndryshe nga Veliu, zyrtarë të Vetëvendosjes, përfshirë edhe liderin e saj dhe kandidatin për kryeministër, Albin Kurti, kanë parashikuar se me LDK-në do të ketë një marrëveshje dhe se të dy partitë do të qeverisin në Kosovë gjatë mandatit të ardhshëm 4-vjeçar.

Në anën tjetër, analistët politikë nuk presin që këto bisedime të jenë edhe aq të vështira, siç i parashikojnë disa zyrtarë të LDK-së.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se arritja e një marrëveshjeje në mes këtyre dy partive është e natyrshme dhe se, sipas tij, të dy partitë duhet të respektojnë premtimet e tyre dhe vullnetin e votuesve.

"Unë nuk shoh që mund të ketë ndonjë pikë diskutabile që do të çonte deri te pamundësimi i një koalicioni midis këtyre dy partive. Kujtojmë se bashkëpunimi i këtyre dy partive nuk filloi dje e as nuk fillon sot. Një bashkëpunim i tyre ka filluar që nga formimi i qeverisë së kaluar dhe e kemi parë gjatë gjithë kohës si këto dy parti kanë funksionuar në opozitë", tha Kryeziu.

Edhe analisti tjetër politik, Imer Mushkolaj, thotë se tashmë duket se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovë e kanë të qartë se kush ku e ka vendin. Megjithatë, Mushkolaj thekson se të ndarja e dikastereve mund të ketë pak vështirësi.

"Mbase mund të ketë përplasje sa i takon ndarjes së ministrive për shkak se Vetëvendosje qysh në fillim e ka bërë të qartë se nuk do t'i lejojë partnerit të koalicionet, në këtë rast LDK-së, që të marrë nën drejtim Ministrinë e Brendshme, atë të Drejtësisë si dhe atë të Financave. Mirëpo, mbetet të shihet nëse do të jetë kështu. Në anën tjetër, janë disa çështje për të cilat LDK dhe LVV duhet të gjejnë pajtim. E kam fjalën në radhë të parë për mënyrën se di do të vazhdojë dialogu dhe si të arrihet marrëveshja me Serbinë", tha Mushkolaj.

Sipas tij, vendimi eventual, qoftë nga LDK-ja apo LVV-ja, që të bllokohet formimi i qeverisë nuk do t’i ndihmonte asnjë procesi.

Bazuar në praktikat e deritashme të negociatave ndërpartiake për formimin e institucioneve, zakonisht marrëveshja fillestare ka përfshirë postet e kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe atë të presidentit. Por, aktualisht, posti i presidentit aktual, Hashim Thaçi është valid apo brenda mandatit kushtetues deri në marsin e vitit 2021. Megjithatë, LVV dhe LDK, nëse do të qeverisin deri në fund të mandatit, sipas pritjeve nga analistët, mund të shtrojnë edhe çështjen e postit të presidentit, pas skadimit të mandatit të presidentit aktual.

Edhe në këtë pikë, aktualisht ka disa dallime në mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të bisedojnë tash për tash me zyrtarët e LDK-së, për këtë pozitë, pasi, sipas tij, nuk do të bëhen pazare politike.

"Pazare politike keni parë me PAN-in (PDK, AAK, Nisma) në të kaluarën. Transparencë radikale do të ketë qeveria e re. Natyrisht, që qeveria jonë do të zgjasë shumë më tepër sesa koha që i ka ngelur presidentit aktual", ka deklaruar Kurti pas një takimi që ka pasur me zyrtarët e LDK-së.

Por, ndryshe nga Kurti mendon nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, sipas të cilit, për të gjitha çështjet duhet të bisedohet.

"Besoj se duhet të jenë tema të bisedave të gjithë çështjet që janë me interes, sepse pas një periudhe mandati i presidenti kalon dhe sigurisht aty do të gjendemi para një vështirësie", tha Veliu.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas një takimi të mbajtur të enjten, janë pajtuar për fillimin e bisedimeve për krijimin e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor në Kosovë. Kurse janë hedhur poshtë të gjitha mundësitë për përfshirjen në koalicion të partive të tjera shqiptare.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili është i mandatuar nga subjekti që udhëheq për pozitën e kryeministrit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, deklaroi se pozita e kryeministrit është e pa diskutueshme në bisedimet për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

*Intervista me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti

Intervistë me Albin Kurtin
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:16:39 0:00

Nga rezultatet preliminare të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 25.49 për qind të votave, pasur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 për qind të votave. Këto rezultatet nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

XS
SM
MD
LG