Ndërlidhjet

Lëvizja “Grua, Jetë, Liri” lë gjurmë në kinematografinë iraniane

Regjisori iranian, Ali Asgari dhe aktorja iraniane, Sadaf Asgari marrin pjesë në premierën e filmit (Kami nour) Pakëz dritë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Venecias më 11 shtator 2026.
Regjisori iranian, Ali Asgari dhe aktorja iraniane, Sadaf Asgari marrin pjesë në premierën e filmit (Kami nour) Pakëz dritë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Venecias më 11 shtator 2026.

Katër vjet pas vdekjes së Mahsa Aminit, e cila nxiti lëvizjen më të madhe protestuese në Iran në dekada, ndikimi i lëvizjes “Grua, Jetë, Liri” është i pranishëm në shoqërinë iraniane.

Një nga efektet më të qëndrueshme të lëvizjes ka qenë mënyra se si kineastët iranianë i portretizojnë gratë. Personazhet që dikur duhej të përballeshin me kufizimet e vendosura nga sistemi i censurës iraniane, gjithnjë e më shumë po paraqiten si gra që thjesht refuzojnë t’i pranojnë ato.

Në filmin e Jafar Panahit, të titulluar Ishte thjesht një aksident, një nga personazhet kryesore grua shfaqet pa shami, e vendosur dhe pragmatike, duke i detyruar njerëzit përreth saj të përballen me të vërteta të pakëndshme. Panahi ka thënë se ky personazh pasqyron gratë që morën në duart e tyre fatin e tyre gjatë protestave “Grua, Jetë, Liri”.

Më 16 shtator është shënuar katëvjetori i vdekjes së Aminit.

Video: Iranianet shpërfillim ligjin për hixhabin

Katër vjet nga vdekja e Mahsa Aminit, iranianet shpërfillin ligjin për hixhabin Katër vjet nga vdekja e Mahsa Aminit, iranianet shpërfillin ligjin për hixhabin
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:06 0:00

Amini ishte 22 vjeçe në atë kohë dhe u ndalua nga e ashtuquajtura “polici e moralit” në Teheran, për shkelje të pretenduar të ligjit për mbajtjen e detyrueshme të hixhabit. Pas tri ditësh në paraburgim, ajo vdiq, si pasojë e asaj që autoritetet e cilësuan si mosfunksionim të zemrës.

Megjithatë, dëshmitarët okularë, përfshirë disa gra që ishin ndaluar bashkë me Amini, thanë se ajo ishte rrahur keq nga policia. Familja e saj tha se ajo gëzonte shëndet të mirë para arrestimit dhe fajësoi dhunën policore për vdekjen e saj.

Patrullat, dikur të frikshme që kontrollonin veshjen e grave nga koka te këmbët, janë zhdukur në masë të madhe nga jeta e përditshme që nga protestat masive të vitit 2022. Rregullat për mbajtjen e detyrueshme të hixhabit janë ende në fuqi, por zbatimi i tyre është zbutur dukshëm në qytetet kryesore të Iranit, të cilat më parë ishin vatra të përplasjeve të grave që luftonin për lirinë e tyre.

Por, ndryshimi nuk kufizohet vetëm te hixhabi.

Në filmin Bidad (Britmë) të Soheil Beiraghit, i realizuar në Iran pa autorizim zyrtar, konflikti kryesor sillet rreth një ndalese tjetër të vendosur ndaj grave: këndimit në publik.

Por, shqetësimi që ngre filmi në fund më i gjerë se këndimi. Zëri shndërrohet në një çështje se kush lejohet të shihet dhe të dëgjohet në publik dhe kush pritet të mbetet i heshtur. Kur Seti, protagonistja e filmit, këndon pa pritur që të marrë leje, veprimi i saj shndërrohet në një formë të mosbindjes civile.

Rruga, ashtu si gjatë protestave të vitit 2022, bëhet më shumë se një hapësirë e zakonshme publike, ajo shndërrohet në një vend ku parashtrohen kërkesa dhe kundërshtohen kufizimet.

Video: Këngëtarja iraniane dënohet për koncertin virtual

74 fshikullima për një këngë: Këngëtarja iraniane dënohet për koncertin virtual 74 fshikullima për një këngë: Këngëtarja iraniane dënohet për koncertin virtual
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:01:43 0:00

Një grup në rritje kineastësh iranianë ka shkuar edhe më larg, duke prodhuar filma jashtë rregullave të vendosura nga Ministria e Kulturës dhe pa lejet zyrtare që tradicionalisht kërkoheshin për realizimin dhe publikimin e një filmi në Iran.

Në mesin e tyre janë Kafeneja e Navid Mihandoustit, Materia e Zezë e Karim Lakzadehit, Një mijë e një korniza e Mehrnoush Aliyas, Grupi i Sahand Kabirit, Fundjava cezariane e Mohammad Shirvanit, Dyshja e Abbas Nezamdoostit dhe Pakëz dritë e Ali Asgarit, ndër të tjera.

Rëndësia e këtyre filmave qëndron jo vetëm në atë që paraqesin, por edhe në mënyrën se si realizohen.

Për dekada të tëra, kineastët iranianë mësuan të punonin brenda ose rreth një sistemi të ndërlikuar censure. Realitetet shoqërore mund të trajtoheshin, por fillimisht duhej të riformësoheshin në mënyrë që të përshtateshin me atë që autoritetet lejonin. Detyra e kineastit shpesh ishte të gjente një mënyrë për ta treguar të vërtetën, pasi ajo të kalonte përmes filtrit të censurës.

Filmat e realizuar pas vitit 2022 përfaqësojnë një qasje tjetër, e cila thjesht e heq këtë filtër.

Ky vendim ka pasur një kosto. Kundër shumicës së kineastëve dhe ekipeve të tyre të përmendura më sipër janë iniciuar procedura ligjore, ndërsa disa janë dënuar me burgim dhe gjoba. Shkelja e tyre, në esencë, ka qenë ndryshimi i marrëdhënies së kinemasë me realitetet që po zhvillohen përreth tyre.

Ky fenomen nuk filloi me lëvizjen “Grua, Jetë, Liri”. Kinematografia iraniane ka një histori të gjatë konfrontimi me censurën, teksa gratë kineaste dhe aktoret kanë kaluar dekada duke kundërshtuar kufizimet ndaj përfaqësimit të tyre dhe trupit të tyre.

Por, trazirat e shtatorit 2022 padyshim e përshpejtuan shkëputjen nga status quo-ja. Në vend që të pyesin se deri ku mund t’i shtyjnë kufijtë e kinematografisë të lejuar zyrtarisht, gjithnjë e më shumë kineastë po pyesin se çfarë ndodh nëse nuk i respektojnë fare këta kufij.

Kjo ka krijuar një kinema paralele iraniane, e cila mund të realizohet pa leje zyrtare, ku aktoret mund të shfaqen pa shami dhe gratë mund të këndojnë, flasin dhe lëvizin në hapësirat publike pa kufizimet e vendosura nga shteti.

Autoritetet iraniane ende mund të kontrollojnë se cilët filma marrin leje zyrtare dhe cilët mund të shfaqen në kinematë në Iran. Ajo që është bërë më e vështirë për t’u kontrolluar, megjithatë, është vetë procesi i realizimit të filmave.

Në vitet që nga protestat e vitit 2022, ky mund të jetë ndryshimi më i rëndësishëm nga të gjithë. Kineastët iranianë gjithnjë e më shumë po refuzojnë ta kalojnë realitetin përmes filtrit të shtetit përpara se ta sjellin atë në ekran.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG