Ndërlidhjet

Ligji për pajtim “amniston” personat e përfshirë në dhunën në Kuvend


Kuvendi i Maqedonisë, 27 prill, 2017.

Njohësit e çështjeve juridike konsiderojnë se Ligji për pajtim dhe integrim, i cili pritet të hartohet nga Trupit Koordinues në Parlamentin e Maqedonisë, në fakt paraqet ambalazh për amnisti, dhe si i tillë synon të shpëtojë të gjithë ata që ishin të përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Parlamentin e Maqedonisë, gjatë zgjedhjes së kryetarit të këtij institucioni.

Përderisa, Emilija Aleksandrova deputete pavarur, pjesë e Trupit Koordinues parlamentar ka sqaruar se propozim-ligji për pajtim dhe integrim, parasheh ndërprerjen e proceduarave gjyqësore për të gjitha ata që akuzohen për ngjarjet e dhunshme në Parlament më 27 prill të vitit të kaluar, por nuk kanë kryer asnjë veprim ndëshkues, siç është tentim-vrasje, dhunë ose udhëheqje të masës.

Nga Trupi Koordinues, që po e përgatit këtë ligj, thonë se ligji në fjalë, si shtyllë bazë krahas përfshirjes së personave të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit, parasheh edhe mbështetjen e proceseve integruese që lidhen me ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, të njohur si Marrëveshja e Prespës, si dhe realizmin e reformave në sistemin gjyqësor, atë të sigurisë, administratë, media etj.

Ligji për pajtim dhe integrim, pritet të përfshijë edhe gjashtë deputetë të përjashtuar të VMRO-s, të cilët votuan pro ndryshimeve kushtetuese.

Njohësit çështjeve juridike thonë se gjithë procedura po përshpejtohet për të miratuar këtë ligj deri në fund të këtij viti, pasi votat e këtyre deputetëve nevojiten edhe për fazën e fundit të ndryshimeve kushtetuese, që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes për emrin.

Trendafill Ivanovski, ish-kryetar i Këshillit Gjyqësor për Radion Evropa e Lirë thotë se pajtimi është një proces gjithëpërfshirës, përderisa, nëse i njëjti rregullohet me Ligj, atëherë një gjë e tillë shndërrohet në amnisti.

Ivanovski thotë se është kuptueshme që kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, me qëllim që të çojë përpara ndryshimet kushtetuese, është i shtrënguar të lëshoj pe dhe të amnistojë ata që ushtruan dhunë në parlament, megjithëse shton kjo do të ketë kosto të lartë për drejtësinë e vendit.

“Pajtimi nuk bëhet përmes ligjeve. Pajtimi është proces gjithëpërfshirës ku të gjithë, këtu mendoj pushteti dhe opozita, do të angazhohen të shtyjnë para çështje të caktuara që vendin të përballet me të gjitha kapacitet për të çarë para rrugën e integrimeve”.

“Ligji për pajtim ka shumë paqartësi duke filluar edhe nga emërtimi i ligjit. Është shumë e hollë vija mes asaj që të shfajësohen ata që ishin të përfshirë në ngjarjet e dhunshme dhe mosndërhyrjes në punën e organeve të drejtësisë. Në këtë situatë, ajo me patjetër duhet bërë është që saktë të definohet kush falet dhe pse dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të përfshihen në amnisti ata që kanë kryer vepra kriminale dhe përmes bllokimit të punës së Kuvendit, synojnë të bllokojnë procesin e përballjes me drejtësinë”, thotë Ivanovski.

Por, njohësit e çështjeve politike thonë se opinion publik në masë të caktuar është i gatshëm që të pranojë që një pjesë e atyre personave që ishin të përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të mos përballen me drejtësinë, me qëllim që të zhbllokohet procesi i integrimeve, por me kusht që para drejtësisë të nxirren ideatorët e dhunës në Kuvend.

“Dështimi i referendumit paralajmëroi një rrjedhë të këtillë të ngjarjeve. Opinioni publik e ka të qartë se për të arritur qëllimet strategjike, pra integrimin në NATO dhe Bashkim Evropian, duhet të bëhet kompromis me drejtësinë. Të kishte kaluar referendumi, ky pazar nuk do të kishte ndodhur, pasi vullneti i popullit do t'i kishte detyruar edhe deputetët e opozitës të përkrahnin ndryshimet kushtetuese”, thotë për Radion Evropa e Lirë, njohësi i çështjeve politike, Xhelal Neziri.

Ndërkohë, partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, ka propozuar një ligj tjetër për amnisti, që parasheh lirimin nga ndjekja penale dhe ndërprerjen e të gjitha proceseve gjyqësorë për të gjithë ata që ishin të përfshirë në çfarëdo mënyre në ngjarjet e 27 prillit.

VMRO-ja opozitare thotë se nuk do të marrim pjesë në trupin parlamentar për pajtim, sepse sipas kësaj partie, ky trup synon të hartojë një ligj për të shpëtuar vetëm personat që votuan ndryshimet kushtetuese, duke bërë që drejtësia të jetë selektive.

XS
SM
MD
LG