Ndërlidhjet

Partitë rivale sfidojnë Listën Serbe në zgjedhje


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen më 6 tetor në Kosovë, bashkësia serbe do të mund të zgjedhë se për kë do të votojë, marrë parasysh që thirrjeve të Listës Serbe për një qasje të përbashkët në zgjedhje, gati se askush nga subjektet politike tjera serbe nuk do t'i përgjigjet.

Bisedimet e kundërshtarëve politik të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme, janë duke vazhduar.

Përfaqësuesit e partive politike nga radhët e komunitetit serb në Kosovë refuzojnë thirrjet e Listës Serbe, subjekt ky politik që deri më tash ka përfaqësuar serbët e Kosovës në institucionet e vendit, për tu bashkuar nën një ombrellë për garën në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare.

Lista Serbe, gjatë fundjavës që shkoi, ka bërë thirrje për “unitet, që të gjithë të nën një ombrellë, duke pasuar politikën e Aleksandar Vuçiqit, të dalin në zgjedhje”.

Por, Slobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, ka ironizuar me ftesën për t’iu bashkuar Listës Serbe në garën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Tamam puna edhe kjo të ndodhë”, ka thënë Petroviq.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë që Partia e Pavarur Liberale, e cila e ka selinë në Graçanicë, është e gatshme që t’u qaset zgjedhjeve si e pavarur ose në koalicion me ndonjë parti tjetër serbe në Kosovë.

“Jemi plotësisht të sigurt që kemi mbështetje të padiskutueshme nga bashkësia jonë për këtë parti, sidomos në periudhën e fundit. Besimi ndaj nesh është gjithnjë e më i madh dhe këtë e dinë të gjithë faktorët politik, e veçanërisht Lista Serbe. Kjo është arsyeja pse ata janë nervoz. Ende nuk ka filluar fushata dhe ata kanë nisur t’i rrëmbejnë njerëzit”, tha Petroviq.

Lista Serbe, gjatë fundjavës, ka deklaruar se dy persona nga Partia e Pavarur Liberale, drejtori i kësaj partie Miroslav Ristiq dhe Mladen Stankoviq, kanë aderuar në listën e tyre, ndërkaq, Slobodan Petroviq ka mohuar se bëhet fjalë për drejtorin e partisë së tij, për shkak se një post i tillë nuk ekziston aty, por bëhet fjalë për një anëtar të zakonshëm.

Të hënën, Lista Serbe ka deklaruar që edhe Këshilli komunal i Partisë së Pavarur Liberale në Kamenicë, në mënyrë kolektive i është bashkuar Listës Serbe.

Petroviq thotë që bisedimet për një qasje të përbashkët në zgjedhje po zhvillohen ndërmjet më shumë individëve dhe partive politike serbe.

“Të gjithë ata që kanë dëshirë dhe vullnet, si dhe kanë qëllimin që të punojnë për fuqizimin e kualitetit të jetesës së bashkësisë serbe, për mbijetesën e saj, për përmirësimin e kushteve të jetesës, të sigurisë... të gjithë ata që e kanë këtë në programin e tyre, janë të mirëseardhur”, u shpreh Petroviq.

Rada Trajkoviq nga Aleanca për Serbinë në Kosovë, e ka quajtur thirrjen e Listës Serbe si porosi totalitariste.

“Ajo porosi më tepër na kujton në Bolshevizëm se sa në një thirrje normale dhe porosi demokratike. Më parë do të thosha që është porosi totalitariste dhe diçka për të cilën as që mund të bëhet fjalë”, tha Trajkoviq.

Ndaj thirrjeve të Listës Serbe ka reaguar negativisht edhe Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Progresiste Demokratike, po ashtu me seli në Graçanicë.

“Ajo për të cilën bëjnë ftesë ata, është njëmendësi dhe kjo nuk është unitet. Ata po propozojnë që ne të pranojmë pa kushte atë që ata mendojnë se është e drejtë dhe e arsyeshme”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka shtuar që Partia Progresiste Demokratike do të dalë në zgjedhje, por ende nuk është e sigurt se a do të marrë pjesë si e vetme apo në ndonjë koalicion me të tjerët.

“Ka të interesuar potencial, qoftë nga grupime, qoftë nga përfaqësues politik, por kjo ende nuk ka marrë formë konkrete. Në momentin që ka më shumë se disa organizime në atë planifikim, gjithmonë dikush ka propozime ose kërkesa të ndryshme, të cilat ndoshta nuk u konvenojnë të tjerëve. Deri në fund të javës do të duhej që të dimë se si do të duket dhe në cilën formë do të dalim në zgjedhje”, tha Rashiq.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq, thotë që serbët duhet të dalin në zgjedhjet e ardhshme, ndonëse opozita në Serbi mund të kundërshtojë këtë.

“Unë mendoj që nëse për ne është shumë e rëndësishme që të paraqitemi, ndonëse i kemi mundësitë dhe resurset e kufizuara, të provojmë disi që të tri nivelet e pushtetit, të cilat Vuçiq i ka mbi serbët e Kosovës, t'i zvogëlojmë ato”, ka thënë Trajkoviq, duke aluduar në pushtetin lokal dhe atë qendror në Kosovë.

“Një numër i madh i serbëve, është i kontrolluar në atë mënyrë që punëdhënësit në sistemin e Kosovës janë përfaqësues të Listës Serbe. pastaj është edhe niveli i tretë, i cili vjen nga Beogradi dhe këtu e kam fjalën për shëndetësinë, arsimin, pensionet dhe të tjera”, u shpreh Trajkoviq, duke shtuar që lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhjet e Kosovës është duke biseduar me përfaqësuesit politik që janë përcaktuar të mos jenë pjesë e Listës Serbe.

Ksenija Bozhoviq nga Iniciativa qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”, lider i së cilës ka qenë politikani serb i vrarë, Oliver Ivanoviq, thekson që ende nuk ka vendosur nëse do të dalë në zgjedhje. Por, siç thotë ajo, është e hapur për bisedime dhe bashkëpunim.

“Po bisedojmë gati se me të gjithë, përveç që ende nuk kemi ndonjë ftesë nga Lista Serbe. në terren asgjë nuk ka ndryshuar, as Ligji për zgjedhje dhe asgjë tjetër në raport me dy proceset e kaluara zgjedhore. Marrë parasysh që kemi pasur mjaft gjëra të pakëndshme, siklete, madje edhe vrasje, e cila ende nuk është ndriçuar, ne do ta sjellim vendimin mjaft kujdesshëm lidhur me daljen në zgjedhje”, tha Bozhoviq

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, gjatë fundjavës, në një konferencë për medie në Mitrovicën Veriore, ka deklaruar që në zgjedhjet e ardhshme “nuk ka vend për jo-unitet” dhe që “të gjithë së bashku, të pajtuar dhe unik”, mund të shkojnë tutje dhe të përpiqen “për mbijetesën dhe qëndresën e popullit serb në këto hapësira”.

“Natyrisht, gjithmonë me shtetin tonë dhe duke ndjekur politikën e kryetarit tonë Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Rakiq.

Ai ka theksuar që nuk duhet të ketë ndarje ndërmjet serbëve dhe ky është obligim i tyre ndaj trashëgimtarëve dhe paraardhësve.

Deri më tash, bashkësia serbe në Kosovë, ka qenë e përfaqësuar në institucionet e vendit kryesisht përmes Listës Serbe, e cila në Kuvendin e Kosovës ka pasur 9 nga 10 deputetët që kanë përfaqësuar komunitetin serb.

Në zgjedhjet e fundit lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat janë mbajtur pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave (të gjithë nga Lista Serbe) - për shkak të taksës prej 100 për qind për produktet e Serbisë të vendosur nga Qeveria e Kosovës - përveç kandidatëve nga Lista Serbe, nuk ka pasur kandidat nga subjektet tjera politike serbe të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës është shpërndarë më 22 gusht, një muaj pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën ka shpallur vendimin e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ne vend, më 6 tetor të këtij viti.

XS
SM
MD
LG