Ndërlidhjet

“Lufta e Ftohtë” mes vendeve të Ballkanit


Ilustrim

Kryeministri i Sllovenisë, Marjan Sharec do të thërras të martën një mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtare për shkak të veprimtarisë së supozuar të shërbimit sekret të Kroacisë në Slloveni.

Me këtë rast, u njoftua se ambasadori kroat në Lubjanë është ftuar për intervistë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Në anën tjetër ambasadori slloven në Kroaci u tërhoq për konsultime në Lubjanë.

Ku bazohen pretendimet sllovene?

Kryeministri slloven më herët deklaroi se është i shqetësuar, pasi dyshohet se shërbimet kroate të inteligjencës kanë përgjuar ish-arbitrin slloven Jernej Sekolec dhe zyrtarin slloven Simon Drenik, për të diskredituar procesin e arbitrazhit të kufirit ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë.

Të dyja vendet iu kishin drejtuar procesit të arbitrazhit pasi kontestonin vijën kufitare ndërshtetërore afër Gjirit të Piranit.

Piran, fotografi nga arkivi.
Piran, fotografi nga arkivi.

Situata u përshkallëzua kur televizioni POP-TV njoftoi se Ivan Tolj, përfaqësues i shtëpisë mediale “Stirija” në Kroaci, tentoi të ndalë transmetimin e një reportazhi që trajtonte temën e përgjimeve të pretenduara të shërbimeve kroate në Slloveni.

“Presionet mbi mediat janë të patolerueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të demokracisë, dhe në qoftë se ato bëhen nga një qeveri të huaj, tregojnë një deficit të madh demokratik dhe devijim nga vlerat themelore evropiane, përfshirë sundimin e ligjit", tha kryeministri i Sllovenisë.

“Lufta e Ftohtë” mes vendeve të Ballkanit

Incidenti i fundit mes Sllovenisë dhe Kroacisë pason një aferë që ka përfshirë javë më parë raportet mes Bosnjë Hercegovinës dhe Kroacisë.

Prokuroria në Bosnjë dhe Hercegovinë filloi hetimet lidhur me disa raportime të mediave se inteligjenca dhe diplomatët kroatë janë përpjekur të armatosin islamistët Selafi në Bosnjë.

Lidhur me këto pretendime, në Prokurorinë e Bosnjës, ka dhënë dëshminë e tij edhe ministri i Sigurisë, Dragan Mektiq.

Agjencia e Sigurisë dhe e Inteligjencës e Kroacisë i hodhi poshtë akuzat duke i quajtur “gënjeshtra dhe me qëllime të këqija”.

Drejtori i Agjencisë Kroate të Inteligjencës, Daniel Markic, megjithatë e kishte pranuar se oficerët e inteligjencës kroate kishin folur me qytetarët e Bosnjës pavarësisht faktit se në fillim autoritetet kroate kishin hedhur poshtë në tërësi pretendimet.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG