Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Lufta kundër korrupsionit s’duhet të jetë selektive


Ilustrim

Lideri i Lëvizjes Besa , Bilall Kasami, duke komentuar arrestimin e dhjetëra personave, të cilët ishin pjesë e ngjarjeve të dhunshme të 27 prillit, si përballjen me drejtësinë e strukturave të larta të VMRO-DPMNE-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se 5 deputetët e kësaj partie, do ta mbështesin parezervë Qeverinë e Zoran Zaevit.

Sipas tij, Qeveria e Zaevit është në rrugë të mbarë për ta pastruar korrupsionin dhe krimin e organizuar brenda institucioneve shtetërore, të instaluar nga qeveria paraprakee udhëhequr nga VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja, megjithëse tërheq vërejtjen se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë joselektive.

“Si Lëvizje Besa, jemi të gatshëm ta përkrahim Qeverinë në ato momente kur do të ketë nevojë për ta pastruar plotësisht me korrupsionin e Qeverisë paraprake. Në këtë drejtim, Lëvizja Besa do të përkrahë çdo aktivitet reformues të Qeverisë. Por, për të pasur mirëbesim, kjo Qeveri, duhet të vazhdojë në këtë frymë që të spastrojë elementet korruptive që tani janë pjesë e saj, si subjekt i koalicionit qeverisës, e që më parë kanë qenë pjesë e Qeverisë me VMRO-DPMNE-në. Vetëm pastrimi i tërësishëm i elementeve të korrupsionit, mund të kthejë besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë, gjyqësorin dhe organet shtetërore në përgjithësi”, thotë Kasami.

Ai konsideron se ngrirja e proceseve gjyqësore ndaj udhëheqësve të lartë të BDI-së, për të cilët, në bazë të bisedave të përgjuara ka indice se janë pjesë e veprave kriminale, nuk do të ndikojë në stabilitetin e Qeverisë. Përkundrazi, sipas Kasamit, Qeveria do të marrë mbështetje edhe nga deputetët që nuk janë pjesë e koalicionit qeverisës.

“Unë besoj se do të krijohen kushtet, po edhe numrat në Parlament, që të mund të pastrohet edhe me këtë pjesë të korrupsionit dhe besoj se deputetët në Parlament do të reflektojnë nëse Qeveria vazhdon që me këtë guxim të merret me problemin serioz, me të cilin është ballafaquar Qeveria në të kaluarën, si në aspektin e korrupsionit, ashtu dhe sa i përket krijimit të rasteve të montuara etj”, shprehet Kasami.

Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni, thonë se sapo të jetë kompletuar Prokuroria Publike me ndryshimet e fundit, sa i përket kompletimit të stafit, mund të pritet që të fillojnë hetimet për zbardhjen e të gjitha rasteve për të cilat ka indice. se zyrtarë të lartë të shtetit, qofshin ata dhe pjesë e Qeverisë, janë të përfshirë në krim.

“Pres që sapo të fillojë të funksionojë Prokuroria Publike me tërë kapacitetin e saj, të fillojë me zbardhjen e të gjitha rasteve, për të cilat në opinion, po qoftë edhe në bazë të bisedave të përgjuara, ka indice serioze se struktura të caktuara që ishin pjesë e koalicionit të kaluar, dhe sërish janë pjesë e Qeverisë. në rastin konkret në BDI-së, të hapen hetime për përfshirjen eventuale në veprime kriminale”, konsideron Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci.

Ndryshimi i pushtetit, shton ai, i ka hapur rrugë çlirimit të sistemit gjyqësor, megjithëse nevojiten reforma të thella, duke mbajtur larg duart politika për sundimin e drejtësisë sipas rekomandimeve që kërkohen nga faktori ndërkombëtar, si detyrim për Maqedoninë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG