Ndërlidhjet

Luftimi i lajmeve të rreme përmes edukimit mediatik


Fotografi ilustruese.

Mosverifikimi i lajmeve dhe shpërndarja e shpejt e informacioneve në rrjetet sociale ka bërë që qytetarët e Maqedonisë së Veriut jo rrallë herë të bien pre e lajmeve të rreme.

Për të luftuar lajmet e rreme dhe identifikimin e tyre, nga viti i ardhshëm, studentët e Fakultetit të Filologjisë “Bllazhe Konevski”, të Fakultetit të Pedagogjisë “Shën KLimenti i Ohrit” në kuadër të Universitetit të Shkupit dhe studentëve të dy universiteteve private, do të kenë lëndë plotësuese lëndën e Edukimit Mediatik.

Aleksandra Temenugova nga Instituti për Studime të Komunikimit, tregon për Radion Evropa e Lirë se hulumtimi që ky institut ka zhvilluar vitin e kaluar në universitetet maqedonase, ka nxjerr në pah se për gjeneratat e reja edukimi mediatik nuk është i panjohur.

Por, sipas tij, problem vazhdon të paraqesë se kjo lëndë po zhvillohet shpejt, teksa studentëve u ofrohen programe të vjetra që nuk përkojë me realitetin e zhvillimit të mediave.

“Në esencë, realisht pak mund të bëhet në fakultete, pasi grup-moshat më të reja, e kam fjalën për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, kryesisht informohen përmes mediave online, informacione që shpërndahen përmes rrjeteve sociale, të cilat jo rrallë herë, për shkak të klikimeve, nuk hezitojnë të plasojë edhe lajme të pavërteta ose gjysmë të vërteta. Ata duhet të mësohen që më herët, në mënyrë që kur të vijnë në fakultete të kenë një bazë të shëndoshë në këtë lëmi”, thotë Temenugova.

Fakulteti i Pedagogjisë do të ketë për detyrë që të përgatisë mësimdhënësit dhe punonjësit e bibliotekave që të mësojnë gjeneratat e reja për shkrimin, leximin mediatik si dhe artikulimin e mendimeve për mesazhet mediatike.

Demash Bajrami, dekan në Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimeve në Universitetin e Evropës Juglindore, thotë për Radion Evropa e Lirë se fakulteti ku ai punon edhe më herët i ka kushtuar rëndësi edukimit mediatik, por tani këtë do ta bëjë përmes kurikulave të posaçme.

“Shkathtësitë digjitale në epokën digjitale nuk janë të rëndësishme vetëm për punonjësit mediatikë, por edhe për të gjitha profesionet pasi informacioni i duhur në momentin e duhur i jep shtytje çdo profesioni. Me rëndësi të veçantë është mendimi kritik për krijimin e një gjenerate e cila do të jetë pjesë përbërëse dhe aktive e zhvillimit demokratik të shoqërisë”, thotë Bajrami.

Ndërkaq, udhëheqësja e projektit për edukimin mediatik, Kristina Nikollovska, thotë se mësimi i vazhdueshëm për edukimin mediatik është i rëndësishëm pasi u mundëson qytetarëve që të dinë të dallojnë informacionet që u ofrohen.

“Fokusi mbetet që studentët t’i mësojmë se si të filtrojnë informacionet përmes mendimit kritik. Ky proces kërkon një bazë të mirë të njohurive, andaj rezultatet do të duken pas një kohe të gjatë, por diku duhet filluar”, thotë Nikollovska.

Ekspertët e mediave kërkojnë që edukimi mediatik të futet si lëndë që nga shkolla fillore, në mënyrë që gjeneratat e reja të mësojnë më herët si të dallojnë, analizojnë dhe krijojnë mesazhe mediatike.

Gjatë pandemisë së koronavirusit u theksua edhe më shumë rëndësia e luftimit të lajmeve të rreme në Maqedoninë e Veriut, pas informacioneve për vaksinimin kundër koronavirusit. Lajme të rreme po shpërndahen po ashtu edhe për zhvillimet që po ndodhin në Ukrainë, shtet që prej 24 shkurtit po përballet me pushtimin e Rusisë.

Po ashtu, së fundmi, ish-këshilltari i Presidencës, Risto Nikovski, është detyruar që të demantojë lajmin për vdekjen e tij që u shpërnda në mediat online dhe në rrjetet sociale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG