Ndërlidhjet

Vdiq ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright


Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një fjalimi në Prishtinë, në 20-vjetorin e dislokimit të trupave të NATO-s në Kosovë. 12 qershor 2019.
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një fjalimi në Prishtinë, në 20-vjetorin e dislokimit të trupave të NATO-s në Kosovë. 12 qershor 2019.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka vdekur të mërkurën, në moshën 84-vjeçare.

Ajo vdiq nga kanceri, u bë e ditur në një njoftim të publikuar nga familja Albright në rrjetin social Twitter.

“Ajo ishte e rrethuar nga familjarët dhe miqtë”, u tha në deklaratën e familjes Albright.

Madeleine Albright u lind në Pragë të Çekosllovakisë së atëhershme më 15 maj 1937. Së bashku me familjen e saj shpërngul në SHBA më 1948.

Madeleine Albright ishte gruaja e parë e zgjedhur në këtë post më 1997. Në këtë post shërbeu deri në vitin 2001, në administratën e Bill Clintonit.

Albright ka qenë sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.

Gjatë një interviste dhënë për Radion Evropa e Lirë më 2009, Albright kishte thënë se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte bërë "në emër të lirisë".

“Kësisoj, e çuam NATO-n në një luftë të gjatë 78-ditëshe. Ishte shumë thelbësore, sepse bëhej në emër të lirisë për njerëzit që përndiqeshin nga shtëpitë e tyre apo që vriteshin. Me këtë u dëshmua edhe vlefshmëria e misionit të ri për NATO-n”, kishte thënë Albright.

Pjesë nga fjalimi i Albright dhe Clinton
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:41 0:00

Albright vizitoi Kosovën në korrik të vitit 1999, një muaj pas përfundimit të luftës.

“Duke u ngritur kundër [ish-liderit serb, Sllobodan]Millosheviqit, i kemi ulur gjasat për një vullnet të ri të Millosheviqit. Duke ndërtuar paqen në Kosovë, ne do të ndihmojmë në stabilizimin e Ballkanit dhe në këtë mënyrë do të kontribuojmë në një Evropë të tërë dhe të lirë”, ka thënë atëbotë Albright.

Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, në Prishtinë u zbulua busti për nder të saj.

Po në vitin 2019, Kosova e kishte dekoruar ish-sekretaren Albright me Urdhrin e Lirisë.

Gjatë fjalimit në Prishtinë, më 12 qershor të vitit 2019, Albright deklaroi se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë “ishte i drejtë”.

​“Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë dhe më e rëndësishmja është se ia dolëm për arsye se kauza e jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës përtej të gjitha pyetjeve, praktikave dhe politikave", ishte shprehur ish-sekretarja Albright.

Zbulohet busti i Madeleine Albright
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se është e tronditur nga lajmi për vdekjen e ish-sekretares Albright, e cila tha se ishte “mike e madhe e Kosovës”.

“Ajo na dha shpresë kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vetë e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahu pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, tha Osmani nëpërmjet një postimi në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Albright ishte një grua e “mrekullueshme, me moral të pakompromis për SHBA-në, një mike e Kosovës deri në fund”.

“Do të na mungosh zonja sekretare”, shkroi Kurti në Twitter.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Madeleine Albright ishte një forcë e mirësisë dhe njerëzisë. Sipas tij, ajo ktheu “valët e historisë”.

“Duart e saj ishin që kthyen valët e historisë. Mua dhe Jill do të na mungojë shumë dhe i dërgojmë dashurinë dhe lutjet tona familjes së saj”, shkroi presidenti Biden në Twitter.

Ndërkaq, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton, dhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, thanë se vdekja e Madeleine Albright është një humbje e madhe për botën.

"Ajo e bëri më të mirën për të avancuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin: duke i dhënë fund spastrimit etnik në Bosnje dhe Kosovë; duke mbështetur zgjerimin e NATO-s në Evropën Qendrore; duke luftuar përhapjen e armëve nëbrthamore; duke zgjeruar përpjekjet e SHBA-së për të forcuar shoqërinë civile, duke reduktuar varfërinë dhe duke ulur borxhin në shtetet në zhvillim; duke ngritur shqetësimet për ndryshimet klimatike dhe degradimin e mjedisit në nivel botëror dhe shumëçka tjetër. Për më tepër, deri në bisedën tonë të fundit dy javë më parë, ajo kurrë nuk e humbi sensin e humorit apo vendosmërinë e saj për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për liri dhe demokraci”, u tha në reagimin e Bill dhe Hillary Clinton.

Albright ishte figurë qendrore në administratën e presidentit Bill Clinton. Në mandatin e parë të presidentit Clinton, ajo shërbeu si ambasadore në Kombet e Bashkuara, ndërkaq në mandatin e dytë u emërua sekretarja e 64-të e Shtetit.

Përveç që shtyri përpara ndërhyrjen e aleancës ushtarake të NATO-s në Kosovë, gjatë mandatit të saj si sekretare ajo ka avokuar për zgjerimin e kësaj aleance, ka punuar në reduktimin e përhapjes së armëve bërthamore dhe ka punuar në të drejtat e njeriut dhe demokracinë në mbarë botën.

Për shkak të punës së saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 ishte nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.

XS
SM
MD
LG